Skip to content
Uncategorized

Tahiri u dënua me burg, reagon Soreca: Ne presim më shumë

· 2 min lexim

Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi me datë 4 shkurt  dënim me burg për Saimir Tahirin, teksa pritet të vuajë 3 vite e katër muaj burg.

Ndërkohë që ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca e quajti një “pavarësi të madhe të gjyqësorit”, vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme për të dënuar me 3.4 vite burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Nga Korça ku mori pjesë në një takim me fermerët dhe zyrtarët e ministrisë së Bujqësisë, Soreca, ndryshe nga ambasadorja Amerikane Yuri Kim, që përshëndeti me urgjencë vendimin, deklaroi se nuk dëshiron të komentojë këtë vendim.

Pyetje: Dënimi i Tahirit, a tregon kjo që reforma në drejtësi ka filluar të funksionojë?

Luigi Soreca: Nuk kam zakon të bëj komente për cështje specifike, por ajo që mund të them është se të shohësh disa nga vendimet e fundit të gjykatave dhe prokurorëve shihet dhe një pavarësi më e madhe më e fortë e gjyqësorit dhe ky është lajm i mirë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

Pyetje: A jeni të kënaqur me SPAK me punën e tij?

Luigi Soreca: Siç e thashë, ne shikojmë sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve por a mjafton kjo? Jo, ne presim edhe më shumë nga të gjitha institucionet që janë të përfshira në sistemin e drejtësisë.

Por pse kjo ndarje e Sorecës? Kjo nuk është hera e parë që BE shprehet qartazi ndarë nga SHBA. Edhe në rastin e shpalljes non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, ambasadori i BE u shpreh i hapur gati për të bashkëpunuar me të në rast se do të kthehej në krye të PD. A e sheh ndryshe BE hetimin dhe ecurinë e reformës në drejtësi? Mbetet për tu parë.