Skip to content
Kryesore

Kryeministri shkon në një dyqan me xhama të thyer, por jo te protestuesi me shtyllën kurrizore të thyer

· 3 min lexim

Nga Luan Rama

Edhe sot, herët në mëngjes, njësoj si dje e si pardje, Kryeministri na u shfaq gjithë pezm në një objekt të dëmtuar nga protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë.

E nisi këtë ritual përkujdesjeje dhe përshpirtjeje tri ditë më parë në shkollën e Mogerinit, për të mbërritur sot në një dyqan të vjedhur e të djegur. Prej andej dha edhe lajmin se në e-Albania do të krijohet një dritare me emërtimin “Dëmi im”, përmes së cilës çdo subjekt i dëmtuar mund të aplikojë, duke paraqitur të dhënat për dëmin e pësuar.

Shumë mirë. Shteti do të ndërhyjë. Do të nisë kështu një proces bashkëpunimi me subjektet e dëmtuara, me synimin për të rikuperuar humbjet dhe për t’i kthyer bizneset e prekura në normalitet. Nëse shteti nuk i mbrojti kur duhej, duhet të dëmshpërblejë dëmet.

Por përse nuk shkoi Kryeministri edhe në Spitalin e Traumës, ku prej mesditës së djeshme ndodhet 21-vjeçari Muhamet Skana, me shtyllën kurrizore dhe kafkën e dëmtuar, i sulmuar  kafshërisht nga banditë të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, teksa ndodhej i vetëm në mes të rrugës me çantën me libra në shpinë e duart në xhepa?!

Përse kamera dhe vëmendja e Kryeministrit ndalen vetëm te objektet e dëmtuara e të djegura, por nuk mbërrijnë deri te shtrati i një të riu të plagosur rëndë?

Sa kushton një vitrinë e thyer? Sa kushton malli i djegur? Sa kushton një biznes i shkatërruar? Janë dëme që mund të llogariten, të dokumentohen e, të paktën në parim, të dëmshpërblehen.

Po dëmi që i shkaktohet trupit të një të riu? Po frika e një qytetari që del në rrugë dhe përfundon nën goditjet e atyre që duhet ta mbrojnë? Po përgjegjësia e qeverisë kur punonjës të Policisë së Shtetit që duhet të garantojnë sigurinë sillen si banditë?

Po për këto dëme, a ka hapësirë në dritaren “Dëmi im” që po hap Kryeministri? Ku duhet të aplikojë Muhamet Skana për drejtësi? Dhe kush do t’i japë llogari atij që sot lufton për jetën, pasi iu rrezikua nga njerëzit e pushtetit, ndërsa Kryeministri numëron xhamat e thyer?

Kryeministri nuk mund të kërkojë llogari për dëmin ndaj pronës, ndërsa shmang llogaridhënien për dhunën e ushtruar nga njerëzit që mbajnë uniformën e shtetit dhe që sillen si banditë.

Xhamat e thyer mund të zëvendësohen. Përgjegjësia për një të ri të plagosur rëndë nuk mund të fshihet pas tyre. Ashtu siç nuk mund të fshihet detyrimi i Kryeministrit për të qenë pranë çdo të plagosuri, polic apo protestues qoftë. Sepse Kryeministri mund të hapë një dritare për dëmet materiale, por përgjegjësinë për qytetarët nuk mund ta kufizojë brenda saj.