Skip to content
Kryesore

Dhuna ndaj medias gjatë protestave/ Policia e Shtetit përgjegjëse për 40 nga 50 sulmet ndaj gazetarëve, 5 të qëlluar me plumba gome

· 2 min lexim

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dokumentuar 50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 24 tetor 2026. Nga këto incidente, 40 lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit, duke përbërë 80% të rasteve të evidentuara.

Sipas AGSH-së, pesë gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga policia gjatë ushtrimit të detyrës.

Raporti përfshin raste të dhunës fizike, kërcënimeve, pengimit të raportimit, dëmtimit të pajisjeve dhe sulmeve verbale ndaj përfaqësuesve të medias.

Incidentet e dokumentuara përfshijnë gazetarë, operatorë dhe fotoreporterë të mediave A2 CNN, News24, SYRI TV, Euronews Albania, Top Channel, Report TV, Ora News, Klan News, Vizion Plus, Reuters dhe mediave të tjera.

Ndër rastet e evidentuara janë goditjet me plumba gome ndaj gazetarëve të Reuters më 17 tetor, fotoreporterit Elkier Bushkolaj më 18 tetor, gazetarëve Armand Bajrami dhe Gazment Seiti më 19 tetor, si dhe gazetarit Ardit Hoxha më 24 tetor.

Vetëm më 24 tetor, AGSH dokumentoi shtatë incidente të tjera, përfshirë djegien në trup të gazetarit Klevi Muka nga uji i hedhur nga policia, goditjen me plumb gome të Ardit Hoxhës, si dhe sulmet me spraj piperi ndaj ekipit të Klan News dhe gazetarit Armand Kullau.

Në listë përfshihen edhe sulme të kryera nga protestuesit, si dhe deklarata publike të kryeministrit Edi Rama, deputetit Eno Bozdo dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilat AGSH i ka kritikuar për gjuhë fyese, denigruese ose stigmatizuese ndaj mediave.

Bilanci i publikuar nga AGSH evidenton përmasat e incidenteve ndaj gazetarëve gjatë 12 ditëve të protestave, ku shumica dërrmuese e rasteve të dokumentuara lidhen me veprimet e Policisë së Shtetit.