Rama: 5 milionë lekë gjobë nëse proteston! Shpërblehen policët që na dhunojnë e na nxjerrin sytë

Skandaloze dhe e paimagjinueshme! Policia që paguajmë me taksat tona për të na mbrojtur na dhunon barbarisht, ndërsa kryeministri Edi Rama premton 2500 euro shpërblim për efektivët dhe deri në 5 milionë lekë të vjetra gjobë për qytetarët që qëndrojnë në një turmë ku ndodhin akte dhune, edhe kur vetë nuk kanë kryer asgjë! Vjedhje nga të dyja anët!
Pra, ata të shpërblehen edhe kur na nxjerrin sytë, ndërsa ne të ndëshkohemi për kazanët e plehrave të djegur dhe trotuaret e dëmtuara! Çfarë disproporcionaliteti absurd!
Në deklaratën e tij, Rama shprehet:
Kush merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimit të policisë, do të përgjigjet financiarisht!
Kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr, po thyhet e po shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme
Gjoba do të shkojë deri në 500.000 lekë të reja. Përjashtohen nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë apo kalimtarët e rastësishëm
Kur policia ka dhunuar barbarisht edhe njerëz të kapur në rrugë, pa asnjë lidhje me protestën, Rama kërkon të ndëshkojë financiarisht edhe ata që thjesht qëndrojnë mes protestuesve, përfshirë qytetarët që mund të jenë duke u vetëmbrojtur.
Ndërkohë, 28-vjeçari Erjon Vishkulli rrezikon shikimin pasi u godit me plumb gome në sy gjatë protestës së 24 tetorit. Pas gjithë dhunës policore, masa e vetme disiplinore e njoftuar publikisht është pezullimi i një efektivi.
Një i ri rrezikon të humbasë syrin, policët premtohet të shpërblehen me taksat tona, ndërsa qytetarët kërcënohen me gjoba marramendëse edhe për veprimet e të tjerëve!
Policia nuk paguhet nga taksat tona për të dhunuar qytetarët, por për t’i mbrojtur. Efektivët që ushtrojnë dhunë të paligjshme duhet të ndëshkohen ashpër, jo të shpërblehen.
Rama duket krejtësisht i shkëputur nga realiteti. Në vend që të kërkojë përgjegjësi për dhunën policore, propozon ndëshkime të tjera ndaj qytetarëve që protestojnë kundër qeverisë së tij.
Deri ku do të shkojë ky absurditet për të mbajtur pushtetin me dhunë?