Absurde! Dhunë barbare e policisë dhe një i ri që rrezikon shikimin nga plumbi në sy, pezullohet vetëm NJË efektiv!

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që u godit me plumb gome në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, rrezikon të humbasë shikimin. Pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale, ai pritet të niset drejt Romës për një operacion më të specializuar. Ndërkohë, pas gjithë dhunës barbare të ushtruar ndaj protestuesve, Policia e Shtetit ka njoftuar pezullimin e vetëm një efektivi. Vetëm një!
Policia që paguajmë me taksat tona për të na mbrojtur, na dhunon barbarisht. Qytetarët dalin në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre, ndërsa përballen me forcën e një institucioni që ka detyrim ligjor t’i mbrojë, jo t’i godasë. Policisë nuk i lejohet të dhunojë qytetarët. As uniforma, as urdhri i eprorit dhe as pretendimi për ruajtjen e rendit nuk justifikojnë përdorimin e paligjshëm të forcës.
Në vend që çdo efektiv i përfshirë në dhunë të identifikohet, të hetohet dhe të ndëshkohet ashpër në përputhje me ligjin, masa e vetme disiplinore e bërë publike deri tani për ditën e djeshme është pezullimi i inspektorit A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Dhe absurditeti bëhet edhe më i madh kur kryeministri Edi Rama premton shpërblime prej 2500 eurosh për policët, me paratë e taksapaguesve. Ndërkohë që qytetarët kërkojnë përgjegjësi për dhunën policore, qeveria zgjedh të shpërblejë efektivët që na dhunojnë barbarisht.
Policët nuk paguhen nga xhepi i Edi Ramës. Pagat, uniformat, pajisjet dhe shpërblimet e tyre financohen nga taksat e qytetarëve. Nga të njëjtët qytetarë që sot përballen me dhunën e tyre.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit rendit sulmet ndaj efektivëve dhe plagosjen e pesë policëve, por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
E vetmja masë konkrete disiplinore e njoftuar publikisht është pezullimi i një polici.
Kjo është më shumë se absurde.
Pezullimi i një efektivi nuk mund të shërbejë si përgjigje për gjithë dhunën e dokumentuar. Çdo polic që ka dhunuar qytetarët duhet të përballet me përgjegjësi ligjore. Po kështu, duhet të hetohet përgjegjësia e drejtuesve që kanë dhënë urdhra ose kanë lejuar përdorimin e paligjshëm të forcës.
Sepse qytetarët nuk paguajnë taksa që të dhunohen nga shteti i tyre. Dhe aq më pak që ata që i dhunojnë të shpërblehen me paratë e tyre.