Skip to content
Kosovë

“Pa praninë e SHBA-së, nuk ka dialog me Serbinë”, në Kosovë janë të qartë

· 2 min lexim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e SHBA-së, nuk duhet të ketë dialog me Serbinë. Këto deklarata, kryetari i LDK-së i ka bërë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në, as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërisht e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme.

Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë.

Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, u shpreh Abixhiku.

Në muajin qershor, pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Negociatat për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, do të kenë ndikim të madh nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.