Çela e Çopja, 12 mln € cash në një dhomë, mbi 24 orë për t’i numëruar: Frikë se prishej makineria nga mbingarkesa, miliona euro e ar të groposura nën ullinj në zonën e Elbasanit dhe Peqinit

Dosja voluminoze e SPAK ndaj organizatës kriminale që dyshohet se drejtohej nga Ervis Çela dhe Franc Çopja ka zbuluar detaje mbi sasitë e jashtëzakonshme të parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. Miliona euro të grumbulluara në dhoma, makineri numërimi që prisheshin nga përdorimi i vazhdueshëm dhe para e lingota ari të groposura pranë rrënjëve të ullinjve janë disa nga elementet që dalin nga komunikimet e anëtarëve të grupeve kriminale.
Komunikimet e sekuestruara nga aplikacionet e enkriptuara Sky ECC, EncroChat dhe Exclu tregojnë se sasitë e parave cash ishin aq të mëdha, sa anëtarët e grupit shqetësoheshin për mbingarkesën dhe prishjen e makinerive që përdornin për numërimin e tyre.
12 milionë euro në një dhomë, mbi 24 orë për t’i numëruar
Në emisionin “Opinion”, moderatori Blendi Fevziu publikoi një fotografi nga dosja hetimore, ku shfaqeshin sasi të mëdha kartëmonedhash të grumbulluara në një banesë në Shqipërinë e mesme.
Sipas Fevziut, numërimi i parave kishte zgjatur mbi 24 orë, ndërsa shuma përfundimtare kishte arritur në 12 milionë euro.
Gazetari Eni Ferhati sqaroi se fotografitë nuk paraqisnin para të sekuestruara nga autoritetet, por pamje që anëtarët e grupeve kriminale shkëmbenin mes tyre përmes aplikacioneve të komunikimit të enkriptuar.
Sipas tij, shumat e mëdha të parave transportoheshin me çanta dhe valixhe përmes korrierëve, kryesisht në zonat e Elbasanit dhe Peqinit.
“Na është prishur makina e numërimit”, halli i trafikantëve nga miliona eurot cash
Një nga detajet më të pazakonta të dosjes u bë publik nga gazetarja Klodiana Lala, e cila tregoi se anëtarët e grupit kishin hasur vështirësi në numërimin e parave për shkak të prishjes së makinerisë.
Duke iu referuar komunikimeve të administruara në dosjen hetimore, Lala solli në vëmendje mesazhin: “kemi ngelur se na është prishur makina e numërimit”.
Ky komunikim pasqyron përmasat e qarkullimit të parave cash brenda organizatës së dyshuar kriminale, ku numërimi dhe sistemimi i shumave të mëdha kërkonte përdorimin e makinerive të posaçme.
Miliona euro dhe lingota ari të groposura pranë rrënjëve të ullinjve
Përveç grumbullimit të parave në banesa, hetimet kanë zbuluar edhe diskutime për fshehjen e miliona eurove në tokë, pranë rrënjëve të pemëve të ullirit.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Franc Çopja kishte përdorur kriptomonedhat dhe lingotat e arit si mënyra për ruajtjen e pasurisë së dyshuar kriminale.
Ajo deklaroi se lingotat e arit groposeshin në ullishte, ndërsa gjatë kontrolleve SPAK kishte shkulur edhe një pemë ulliri në kërkim të pasurive të fshehura.
Nga komunikimet e zbërthyera rezultojnë gjithashtu diskutime për shndërrimin e shumave të mëdha të parave në ar, me qëllim ruajtjen dhe fshehjen e tyre.
Rreth 60 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, organizata kriminale dyshohet se ka trafikuar rreth 60 tonë kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt tregjeve europiane, me një vlerë që llogaritet në qindra miliona euro.
Veprimtaria e dyshuar kriminale shtrihej përtej kufijve të Shqipërisë, duke përfshirë rrjete ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve dhe bashkëpunëtorë në disa shtete.
Në dosje përmenden edhe dy shtetas uruguaianë, Sebastian Cabrera dhe Federico Santoro, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt me organizatën.
Të dy janë arrestuar më herët nga Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) dhe janë ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të operacioneve ndërkombëtare kundër trafikut të drogës.
Paratë qarkullonin përmes sistemit “Hawala” dhe kompanive tregtare
Hetimet kanë evidentuar edhe mekanizmat e dyshuar të transferimit dhe pastrimit të parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve.
Sipas SPAK, për qarkullimin e vlerave monetare janë përdorur sisteme informale transferimi, përfshirë mekanizmin e njohur si “Hawala”, kode identifikuese dhe shoqëri tregtare që ushtronin aktivitet në fushën e import-eksportit.
Këto metoda dyshohet se shërbenin për lëvizjen e shumave të mëdha të parave ndërmjet vendeve të ndryshme, duke shmangur kanalet tradicionale bankare.
Përplasjet kriminale dhe masakra e Bradasheshit
Në lidhje me aktivitetin e grupeve kriminale, gazetarja Klodiana Lala ka folur edhe për konfliktet mes grupit të Franc Çopjas dhe atij të Erjon Alibejt.
Sipas saj, përplasjet kishin nisur për shkak të konflikteve të lidhura me trafikun e drogës në Britaninë e Madhe dhe më pas ishin përshkallëzuar në ngjarje të rënda kriminale në Shqipëri.
Lala e lidhi këtë konflikt edhe me masakrën e Bradasheshit dhe një seri vrasjesh që pasuan përplasjet mes grupeve.
16 të pandehur dërgohen për gjykim, 9.2 milionë euro pasuri të sekuestruara
Më 5 nëntor 2026, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim 16 të pandehur në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023.
Akuzat përfshijnë trafikun e narkotikëve, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.2 milionë euro.
Dosja tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të shqyrtohen akuzat dhe provat e mbledhura nga Prokuroria e Posaçme.
Komunikimet e zbërthyera kanë nxjerrë në pah përmasat e pasurive që dyshohet se qarkullonin brenda rrjetit kriminal, ku vetëm një pjesë e parave të fotografuara arrinte në 12 milionë euro, ndërsa anëtarët e grupit diskutonin si t’i numëronin, t’i transportonin dhe t’i fshihnin ato.