Moti i keq paralizon lundrimin në Vlorë, ndalohen mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit deri më 14 nëntor

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në bregdetin e Vlorës ka sjellë kufizime të lundrimit për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit. Për shkak të erërave të forta dhe dallgëve që pritet të arrijnë deri në 4.5 metra, autoritetet kanë vendosur pezullimin e lundrimit në det të hapur, jashtë Gjirit të Vlorës.
Ndalimi hyn në fuqi sot, më 11 nëntor, në orën 16:00 dhe do të zgjasë deri më 14 nëntor, në orën 06:00.
Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë kësaj periudhe era pritet të arrijë forcën 7–8 ballë, me shpejtësi nga 20 deri në 35 metra në sekondë. Dallgëzimi parashikohet të jetë i lartë, me dallgë nga 2 deri në 4.5 metra, duke krijuar kushte të rrezikshme për mjetet e vogla lundruese dhe aktivitetin e peshkimit.
Kufizimet nuk prekin anijet që kryejnë transport ndërkombëtar, të cilat do të vijojnë lundrimin sipas itinerareve dhe destinacioneve të përcaktuara.
Masat janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë e mjeteve lundruese dhe ekuipazheve, si dhe për të parandaluar incidente të mundshme në det gjatë periudhës së motit të keq.