Ditën e sotme një varkë me emigrantë në brigjet e Calais u përmbys ndërsa përpiqej të arrinte në Mbretërinë e Bashkuar.
Deri më tani janë konfirmuar 31 të vdekur, mes tyre pesë gra dhe një vajzë e re. Dy persona u shpëtuan nga anija dhe po trajtohen në spital, ndërsa një person tjetër është ende i zhdukur, ka konfirmuar ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka thënë se kjo është humbja më e madhe e jetës në “Kanal” që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2014. Katër persona të dyshuar si të lidhur me kontrabandën e njerëzve janë arrestuar nga policia franceze.
Peshkatarët fillimisht raportuan se zbuluan 15 trupa që notonin në ujë rreth orës 14:00. Një anije e marinës franceze gjeti pesë trupa të pajetë dhe pesë persona të tjerë pa ndjenja.
Numri i përkohshëm i vdekjeve u rrit më vonë në 31.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se është “i tronditur dhe i tmerruar” nga tragjedia, pasi kryesoi një takim urgjent “Cobra” në përgjigje të vdekjeve. Për këtë tragjedi ka reaguar edhe Presidenti francez Emmanuel Macron i cili ka thënë se Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet një varrezë, duke bërë thirrje për një takim urgjent të ministrave evropianë të migracionit.