Zgjedhjet lokale/ Sandër Lleshaj: “Askush nuk mund të cenojë procesin”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pak javë na ndajnë nga nisja zyrtare e fushatës për zgjedhjet lokale dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë porositë për prefektet dhe efektivët e policisë në çdo qark,  që të marrin masa për mbarëvajtjen e procesit.

Lleshaj tha se askush nuk mund të cënojë procesin dhe nuk ka shans që të prekë integritetin e një procesi që është thelbi i demokracisë së vendit.

“Vendi është pothuajse i futur në fushatë, të gjitha agjencitë ligjzbatuese kanë detyra dhe përgjegjësi për një proces zgjedhor sikur e kërkon ligji në fuqi. Zhvillimi i zgjedhjeve në prag të vendimmarrjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen europiane të vendit u jep atyre një rëndësi shumë të veçantë, sikurse edhe për shkak të kontekstit politik i cili karakterizohet për shkak të një polariteti dhe përpjekje për të krijuar vështirësi për zhvillimin e procesit. Të gjitha strukturat, sidomos prefektët, të vihen në krye të procesit të koordinimit të institucioneve vendore dhe atyre qendrore që janë të përfaqësuara në nivelin lokal, me qëllim që të ofrohen të gjitha mundësitë që qytetarët të kenë mundësi të shprehin të drejtën për të votuar”, – deklaroi ministri.

Përgjegjësi, tha ai, ka edhe Policia, që duhet të krijojë mjedis të sigurt, që zgjedhjet të realizohen në mjedis të sigurt, dhe që të realizohet kjo, çdo drejtues i policisë duhet të jetë i angazhuar dhe i motivuar që procesi të zhvillohet si duhet.

Sipas tij, roli i policisë është jashtë palëve dhe përtej palëve, nuk ka asnjë peshë apo përgjegjësi për t’u angazhuar politikisht.

Lleshaj theksoi se askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pasi është një e drejtë e qytetarëve.

Shpërndaje
Share.

Komento