Skip to content
Kryesore

Të rinj me këmbë të thyera e sy të dëmtuar, Rama mbron policinë në Bruksel dhe i kthehet gazetares që e përball me dhunën: “Po më provokon?”

· 4 min lexim

Edi Rama ka mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore në Shqipëri, duke deklaruar nga Brukseli se efektivët ishin pala më e dëmtuar. Deklarata vjen në një kohë kur janë denoncuar raste të të rinjve të plagosur, me fraktura në gjymtyrë dhe dëmtime në sy gjatë përplasjeve me policinë.

Në vend që të jepte shpjegime konkrete për këto denoncime, Rama e zhvendosi diskutimin te dhuna ndaj efektivëve dhe ndikimi i rrjeteve sociale. Madje, kur gazetarja Maria Tadeo i kujtoi dallimin mes forcës që ushtron policia dhe asaj të protestuesve të paarmatosur, kryeministri reagoi duke e pyetur nëse po e provokonte.

Përplasja ndodhi gjatë Samitit të Zgjerimit të Euronews në Bruksel, ku Rama po diskutonte për integrimin europian të Shqipërisë dhe sfidat me të cilat përballet vendi.

“Kishim protestues të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër, kishim dyfishin e të plagosurve nga policia. Pra, policia ishte pala më e dëmtuar nga këto demonstrata”, deklaroi kryeministri.

Rama nuk paraqiti të dhëna të detajuara që të mbështesnin krahasimin e tij mes numrit të policëve dhe protestuesve të plagosur.

Por problemi nuk kufizohet vetëm te numri i të lënduarve. Pyetja që mbetet pa përgjigje është fakti që forca e përdorur nga policia ndaj protestuesve nuk ka qenë e nevojshme dhe as proporcionale, veçanërisht në rastet kur janë denoncuar dëmtime të rënda.

Gazetarja e përball me dhunën policore, Rama: Po më provokon?

Maria Tadeo i kujtoi kryeministrit se protestuesit mund ta kundërshtojnë krahasimin e tij, pasi policia zotëron mjete shtrënguese dhe armë, ndërsa qytetarët që protestojnë paqësisht nuk ndodhen në të njëjtat kushte.

“Pra dikush thotë që po, policët janë lënduar, por protestuesit thonë që ka ndryshim mes dhunës së policisë dhe të protestuesve, sepse ata kanë armë dhe mund të argumentohet që ka situata që policët mund të lëndohet, protestuesit mund të thonë që nuk kemi as armë, jemi paqësorë”, u shpreh gazetarja.

Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm:

“Po më provokon, e ke seriozisht? Apo po më provokon që të kemi një diskutim interesant.”

Kjo përgjigje nuk trajtoi thelbin e pyetjes: përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

Lëndimi i një efektivi gjatë protestës është një çështje që kërkon hetim dhe përgjegjësi për autorët. Por kjo nuk e përjashton detyrimin për të hetuar veçmas çdo rast për dhunë të paligjshme nga policia. Njëra nuk mund të përdoret si justifikim për tjetrën.

Rrjetet sociale si shpjegim për protestat dhe dhunën

Rama e lidhi perceptimin publik për protestat me ndikimin e rrjeteve sociale, duke përdorur edhe shprehjen “përballje skizofrenike me realitetin”.

“Po të shihni media sociale dhe tv që marrin informacion nga mediat sociale ajo që do mendonit për atë që ka ndodhur në Shqipëri është unike për brutalitetin e policisë”, deklaroi Rama.

Megjithatë, pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nuk kufizohen te publikimet në rrjetet sociale. Edhe përfaqësues të Parlamentit Europian kanë shprehur shqetësim për raportimet mbi dhunën policore, duke kërkuar hetimin e përgjegjësive individuale.

Nga pyetjet për dhunën te deklaratat për ndryshimin dhe martesën

Në vijim, gazetarja e pyeti Ramën nëse qeveria e tij ishte e gatshme të ndryshonte përballë pakënaqësisë së qytetarëve.

“Ditën që do mendoj që unë nuk kam nevojë të ndryshoj dhe qeveria nuk ka nevojë të ndryshojë atëherë do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj, jeta ime është një jetë ndryshime në të gjitha aspektet, edhe në martesë. Unë kam ndryshuar në cdo mënyrë sepse unë jetoj për ndryshimin. Kjo është ajo që bëj gjithë kohën”, u përgjigj kryeministri.

Por deklarimi për gatishmëri për të ndryshuar nuk u shoqërua me një përgjigje konkrete mbi mënyrën se si qeveria do t’i trajtojë denoncimet për dhunën policore.

Përtej përplasjes verbale në Bruksel, mbetet një çështje thelbësore: numri i policëve të plagosur nuk mund të shërbejë si përgjigje ndaj rasteve të protestuesve të dëmtuar. Për më tepër, vetë qeveria nxiti policinë të dhunojë në vijën e parë, për një shpërblim prej 2500 eurosh për polic.

Në një samit ku diskutohet e ardhmja europiane e Shqipërisë, pyetjet për respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe kufijtë e forcës policore janë pjesë e debatit për shtetin e së drejtës. Ato kërkojnë përgjigje institucionale, jo një debat nëse gazetarja po provokon kryeministrin.