E rriti e vetme pas ndarjes nga bashkëshorti, detaje nga vrasja e shqiptares në Itali nga djali 21-vjeçar

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Chiari të Italisë, ku 39-vjeçarja shqiptare Meleqe Lusha dyshohet se është vrarë me thikë nga djali i saj, 21-vjeçari Eduart Xhani, brenda banesës ku jetonin. Viktima e kishte rritur e vetme të birin që në moshë të vogël, pas ndarjes nga bashkëshorti, duke përballuar sakrificat dhe përgjegjësitë e prindërimit.
Krimi ndodhi gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën Tagliata. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 21-vjeçari dyshohet se goditi me thikë nënën e tij dhe më pas u largua nga vendngjarja. Disa kohë më vonë, ai u vetëdorëzua te Karabinierët në Kremona, ndërsa autoritetet italiane nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes.
Kryetari i Bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, ka folur për tragjedinë që ka tronditur komunitetin, duke zbuluar edhe historinë familjare të 39-vjeçares shqiptare.
Sipas tij, Meleqe Lusha ishte ndarë nga bashkëshorti kur djali ishte ende i vogël dhe që prej asaj kohe ishte kujdesur vetë për rritjen dhe edukimin e tij. Në këtë rrugëtim ajo kishte pasur mbështetjen e katër vëllezërve, të cilët punonin në sektorin e ndërtimit dhe njiheshin në qytet.
39-vjeçarja përshkruhej si një grua punëtore dhe e përkushtuar ndaj familjes. Ajo ishte e punësuar në Spitalin Civil të Breshias, ndërsa djali i saj ishte rritur në Chiari, ku kishte ndjekur shkollën fillore dhe arsimin e mesëm.
Ajo që e bën edhe më të vështirë për t’u kuptuar ngjarjen, sipas kryebashkiakut, është fakti se 21-vjeçari nuk kishte shfaqur më parë probleme apo sjellje shqetësuese.
“Është një djalë që deri më sot nuk ishte raportuar për probleme dhe nuk kishte shkaktuar shqetësime. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se çfarë mund të ketë ndodhur dhe çfarë e ka çuar drejt dhunës gjatë natës së kaluar”, u shpreh Zotti.
Kryebashkiaku theksoi se familja shqiptare ishte e integruar në jetën e qytetit dhe se tragjedia kishte prekur jo vetëm të afërmit dhe fqinjët, por të gjithë komunitetin.
“Komuniteti u trondit sot nga ky lajm, nga kjo ngjarje tragjike që ka prekur të gjithë qytetarët. Është një lajm që ka goditur jo vetëm ata që e njihnin familjen për shkak të fqinjësisë, lidhjeve familjare apo miqësisë, por të gjithë qytetin”, deklaroi ai.
Zotti kërkoi që autoritetet të vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë krim, ndërsa theksoi se tragjedia ngre pyetje të vështira për të gjithë komunitetin.
“Le të bëjmë që drejtësia të kryejë punën e saj dhe të përcaktojë shkaqet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje të dhunshme. Por si komunitet, të gjithë duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje”, deklaroi kryebashkiaku.
“Përballemi me një akt dhune të ushtruar nga djali ndaj nënës, siç rezulton nga rindërtimet e para të ngjarjes. Përballë një tragjedie kaq të vështirë për t’u kuptuar, Chiari po pyet veten se si mundi të ndodhte kjo”, përfundoi ai.
Ndërkohë, hetuesit italianë po punojnë për të zbardhur motivin e krimit dhe për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë natës në banesën ku Meleqe Lusha kishte jetuar dhe rritur të birin.