Skip to content
Kryesore

Vullnet Sinaj ndryshon mendje dhe voton pro Territoriales, Braçe mbetet vetëm kundër reformës

· 3 min lexim

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim për Reformën Administrativo-Territoriale, duke deklaruar në Kuvend se do t’i bashkohet vendimit politik të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ndryshe nga Sinaj, Erion Braçe nuk është tërhequr nga kundërshtimi i tij ndaj reformës që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, ndërsa gjatë fjalës në Parlament i është ndërprerë edhe mikrofoni.

Sinaj, i cili më herët kishte kundërshtuar shkrirjen e Bashkisë së Selenicës, pranoi se qëndrimi i tij kishte mbetur në minorancë dhe se do të mbështeste vendimmarrjen e grupit socialist.

“Unë jam zgjedhur nga banorët e qarkut të Vlorës dhe nuk kam qenë pro kësaj reforme. Por idetë e mia ngelen në minorancë.

Grupi Parlamentar të PS-së ka vendosur që të votohet projektligji për reformën territoriale. Në fund të fundit janë pikëpamje. Në këtë moment, që Grupi i PS ka marrë këtë vendim, vendimmarrja ime i lë vendin vendimmarrjes të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Mbështetja ime nuk është çek i bardhë, por kërkon që të bëhet më mirë dhe për zona malore”, deklaroi Sinaj.

Ndryshimi i qëndrimit të tij vjen pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku kryeministri Edi Rama raportohet se ka paralajmëruar përjashtimin nga grupi të deputetëve që nuk respektojnë vendimin për votimin e reformës.

Braçe nuk tërhiqet: Me këtë ligj ndryshojmë jetën e njerëzve

Në dallim nga Sinaj, Erion Braçe ka vijuar kundërshtimin ndaj projektligjit, duke kritikuar mungesën e transparencës, kriteret e përdorura për hartën e re dhe kompetencat e kufizuara të pushtetit vendor.

“Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre?”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist theksoi se reforma nuk mund të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës, ndërsa kritikoi faktin që bashkive u janë transferuar kompetenca pa buxhet të mjaftueshëm.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se informacioni ekonomik dhe financiar mbi të cilin mbështetet projektligji nuk është ndarë në mënyrë transparente me deputetët.

Fjala e Braçes u shoqërua me tensione, pasi në përfundim të kohës së përcaktuar për diskutimin iu ndërpre mikrofoni. Megjithatë, ai refuzoi të largohej nga foltorja dhe vijoi të fliste.

“Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati”, deklaroi Braçe, ndërsa nga opozita u kërkua që të lejohej të përfundonte fjalën.

Kështu, ndërsa Sinaj ka vendosur t’i nënshtrohet qëndrimit të shumicës socialiste, Braçe mbetet i palëkundur në kundërshtimin e tij ndaj reformës, e cila synon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.