Skip to content
Kryesore

Vrasje me armë zjarri pranë “Vasil Shantos” në Tiranë, zbulohet identiteti i 46-vjeçarit

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, pasi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri teksa ishte në lëvizje.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”, pranë zonës së njohur si “Vasil Shanto”.

Fillimisht, rreth orës 20:20, Policia është njoftuar për një aksident rrugor, pasi një automjet tip “Volvo” kishte devijuar nga rruga. Megjithatë, pas mbërritjes së efektivëve në vendngjarje, është konstatuar se drejtuesi i mjetit ndodhej pa shenja jete dhe dyshohej se ishte vrarë me armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Ismet Habili, 46 vjeç. Sipas informacioneve, ai është qëlluar ndërsa ishte në lëvizje.

Policia e Tiranës ka konfirmuar ngjarjen përmes një njoftimi paraprak:

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”

Trupi i pajetë i 46-vjeçarit ndodhet ende brenda automjetit, ndërsa zona është kthyer në objekt të veprimeve hetimore.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të vrasjes, autorët e mundshëm apo motivi i ngjarjes. Hetimet vijojnë për zbardhjen e saj.