Skip to content
Kryesore

“Vila, vila, vila, kjo Balluku kur do arrestohet?”/ Elton Qyno përplaset me juristët: SPAK i zbulon pasuri, por pse nuk kërkon masë sigurie?

· 2 min lexim

Gazetari Elton Qyno ka ngritur pikëpyetje mbi veprimet e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar të dijë pse nuk është vendosur një masë sigurie ndaj saj, ndërsa, sipas tij, gjatë hetimeve janë zbuluar vila dhe pasuri.

Gjatë debatit mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story”, Qyno u përplas me juristët në studio teksa diskutonte hetimet e SPAK dhe situatën e Ballukut.

Gazetari deklaroi se Belinda Balluku dhe Ergys Agasi përfaqësojnë, sipas tij, dy nga klanet më të fuqishme brenda PS-së, të cilat janë në përplasje me njëra-tjetrën. Ai iu referua të dyve si “zëvendëskryeministra në hije”, ndërsa e lidhi këtë përplasje edhe me çështjet që po hetohen.

“Kush janë klanet më të fuqishme? Klanet më të fuqishme dihet kush janë atje, Gysi ishte dhe Belinda, këto dy klane luftojnë njëri-tjetrin, sepse janë dy zëvendëskryeministra në hije. Ky është realiteti në Shqipëri, që janë dy zëvendëskryeministra në hije, dihet që luftojnë me njëri-tjetrin, sepse të dy nuk mund të shkojnë paralel. Ose njëri duhet të fitojë dhe tjetri të humbë, sepse të dy paralel nuk mund të shkojnë. Dhe janë të dy me masa sigurie, me sekuestro dhe çështje paralele. Atje zbulohet një vilë, nuk ka masë, zbulohet prapë një vilë, s’ka masë, zbulohet një tjetër pasuri, prapë s’ka masë. A duhet SPAK t’i drejtohet Kuvendit për një masë ndaj Belinda Ballukut? Ajo nuk ka masë më nga SPAK, ka pezullim nga detyra, por nuk është më zëvendëskryeministre”, tha Qyno.

Me deklaratat e tij, Qyno vuri në qendër të debatit pikërisht mungesën e një mase tjetër sigurie ndaj Ballukut dhe ngriti publikisht pyetjen nëse SPAK duhet t’i drejtohet Kuvendit për të kërkuar një masë ndaj saj.