Skip to content
Kryesore

Vidhet “libri më i çmuar në botë”/ “Apokalipsi” i Dalí zhduket në Francë

· 2 min lexim

Një grabitje e bujshme ka goditur Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire, në rajonin Auvergne të Francës. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur “L’Apocalypse”, veprën monumentale të njohur dikur si “libri më i çmuar në botë”, me peshë 210 kilogramë dhe vlerë disa milionë euro.

Vetëm kopertina prej bronzi e veprës, e realizuar nga Salvador Dalí, peshon rreth 150 kilogramë. “L’Apocalypse” është e zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar dhe u konceptua e porosit në vitin 1959 nga botuesi i librave të artit Joseph Forêt, bazuar në “Apokalipsin” e Shën Gjonit.

Në realizimin e veprës morën pjesë shtatë artistë të njohur, mes tyre Salvador Dalí, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini. Shtatë shkrimtarë dhe mendimtarë, përfshirë Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger, kontribuuan gjithashtu me komente dhe reflektime.

Që prej vitit 1961, “L’Apocalypse” është ekspozuar në vende të ndryshme të botës. Pas disa pronarëve, në vitin 2002 vepra u ble nga koleksionisti Christian Karoutzos. Ai ka treguar se iu deshën dhjetë vjet për ta paguar, duke punuar shtatë ditë në javë.

Pas 24 vjetësh, këtë verë Karoutzos vendosi ta ekspozonte veprën në Qendrën e tij të Artit Bashkëkohor. Vetëm pak muaj më vonë, “L’Apocalypse” u vodh.

Autoritetet franceze kanë hapur hetim për grabitjen dhe po punojnë për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e veprës.

“Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, deklaroi pronari i saj.