Skip to content
Bota

Turqia në shtetrrethim, Erdogan vendos kufizime për të parandaluar Covid-19

· 2 min lexim

“Në fundjavë, do të vendoset një shtetrrethim, me përjashtim të orëve 10.00 – 20.00″, njoftoi sot Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, Turqia, vendos masa shtesë kufizuese.

Po ashtu do të ketë kufizim të lëvizjes për personat mbi 65 vjeç dhe nën 20 vjeç. Situata në vend është e rëndë, pavarësisht zhvillime premtuese në  lidhje me vaksinat,  por kërcënimi vazhdon.

Erdogan theksoi se shkalla e infeksioneve të reja dhe vdekshmërisë në disa qytete, veçanërisht në Stamboll janë tejet shqetësuese.

Ndërkohë që u theksua edhe njëherë se mësimi online do të vazhdojë, deri në fund të vitit.

Orari i punës së bizneseve të tilla si restorante dhe berberë do të jetë ndërmjet orës 10 dhe 20:00.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën në mbrëmje se 72 pacientë të tjerë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga koronavirusi i ri në Turqi duke e çuar numrin total të vdekjeve në 9.799.

“Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në 361.801 pasi 2.017 njerëz më shumë rezultuan pozitivë në testet e virusit”, theksoi Ministria. Ndërkohë që 1.744 pacientë janë në gjendje të rëndë.

/GazetaReforma.com/