Skip to content
Kryesore

Tiranë: Terrorizoi ish-të dashurën për 2 muaj, 33-vjeçari e rrëmbeu me makinë, e dhunoi dhe i kërcënoi punëdhënësin

· 1 min lexim

Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se për rreth dy muaj ka përndjekur ish-të dashurën e tij, ndërsa më pas e ka marrë me forcë në automjet, ku dyshohet se e ka dhunuar dhe kanosur.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 17 shtator 2026. Hetimet tregojnë se përndjekja ndaj të resë kishte vijuar prej rreth dy muajsh, përpara se situata të përshkallëzohej me marrjen e saj me forcë në automjet.

Por dyshimet ndaj 33-vjeçarit nuk përfundojnë këtu. Një ditë më parë, ai dyshohet se ka kanosur edhe punëdhënësin e ish-partneres së tij, me qëllim që ajo të largohej nga puna.

Pas denoncimit, policia ndërhyri dhe arrestoi 33-vjeçarin, ndërsa vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“Një 33-vjeçar, pasi dyshohet se, për rreth 2 muaj, ka përndjekur ish-të dashurën, të cilën, më datë 17.09.2026, dyshohet se e ka marrë me forcë në automjet, ku e ka dhunuar dhe kanosur. Dje, dyshohet se 33-vjeçari ka kanosur punëdhënësin e kësaj shtetaseje, për ta hequr atë nga puna”, thuhet në njoftimin e policisë.