Skip to content
Kryesore

SKANDALI në Liqenin e Tiranës/ Ujëra të ndotura derdhen të patrajtuara

· 2 min lexim

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre alarmin për ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës, ku janë konstatuar shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë masa konkrete për identifikimin e ndotësve dhe zgjidhjen e problematikës.

Auditimi tematik “Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës”, që mbulon periudhën 2021-2024, evidenton zhvillimin e algave të gjelbra dhe të verdha në sipërfaqe të konsiderueshme të liqenit, të shoqëruara edhe me aromë të pakëndshme.

Sipas ekspertit B.B., përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe niveli i ulët i oksigjenit tregojnë se liqeni ndodhet në gjendje eutrofike, ose “i sëmurë”. Ai paralajmëron se përkeqësimi i situatës mund ta bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor, ndërsa ngordhja masive e peshqve dhe dalja e tyre në sipërfaqe për shkak të mungesës së oksigjenit konfirmojnë gjendjen e degraduar.

KLSH evidenton se në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara. Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka kryer monitorime vjetore për Liqenin Artificial gjatë viteve 2021-2024 dhe, sipas raportit, kjo situatë vijon minimalisht që prej vitit 2015.

Ndërkohë, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kishte evidentuar që në tetor 2024, edhe përmes analizave të AKM-së, shkarkimin e ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, por KLSH thotë se, përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për identifikimin e shkaktarëve dhe zgjidhjen e problemit.

Nga inspektimi janë konstatuar 8 pika aktive shkarkimi të ujërave në liqen nga subjekte me veprimtari ekonomike. KLSH e cilëson situatën “kritike mjedisore” dhe evidenton se inspektimi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë nuk ka qenë i plotë.

Një tjetër problem është se zona brenda Parkut të Madh të Liqenit Artificial nuk mbulohet nga rrjeti i kanalizimeve për ujërat e ndotura urbane. Sipas raportit, Bashkia e Tiranës dhe institucionet e saj nuk kanë kryer verifikime në terren për mënyrën se si subjektet që operojnë në park trajtojnë ujërat e ndotura.

Institucionet nuk kanë informacion as për gropat septike, vendndodhjen dhe menaxhimin e tyre, ndërsa KLSH evidenton se nuk ekziston as një numër i saktë i subjekteve që operojnë në territorin e Parkut të Madh.