Skip to content
Bota

Samiti i 6 dhjetorit në Tiranë, BE pro anëtarësimit të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor

· 2 min lexim

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, në takimin që do të mbajnë në Tiranë, më 6 dhjetor, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.

Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.

Ai vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar.

Për pasojat e saj pritet të flitet edhe në samitin e Tiranës.

“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po eskalon e po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.

“Bashkimi Evropian rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të padyshimtë për perspektiven e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, bazuar në reformat kredibile nga ana e partnerëve“, thuhet po ashtu në tekst.

Aty mirëpritet edhe përkushtimi i vendeve të rajonit për të respektuar, siç thuhet, të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat themelore të BE-së.

“Qëndrimi krah BE-së është një sinjal i qartë strategjik i partnerëve, në kohën kur Rusia përshkallëzon luftën e saj agresive në Ukrainë. Vizioni i përbashkët i së ardhmes nënkupton edhe përgjegjësi të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta“, thuhet në draft-deklaratë. REL