Skip to content
Kryesore

Rrjedhje masive nga SHISH-i: Ekspozohen mbi 600 numra dhe dokumente sekrete

· 2 min lexim

Grupi “HomeLand Justice” ka publikuar në Telegram një seri materialesh që pretendon se i përkasin Shërbimit Informativ të Shtetit, duke ekspozuar të dhëna që lidhen me personelin dhe dokumentacionin e institucionit.

Mes materialeve të publikuara pretendohet se janë mbi 600 numra celularë të personelit të SHISH-it, së bashku me faturat e kompanisë telefonike për pagesat e kryera për këto numra në emër të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Por publikimi shkon përtej numrave të telefonit. Në Telegram janë hedhur edhe dokumente të tjera që paraqiten si konfidenciale, përfshirë certifikata sigurie për një punonjës të Ministrisë së Jashtme.

Në materialet e publikuara gjendet edhe një shkresë e vitit 2018 nga një vëzhgues ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), lidhur me deklasifikimin e informacioneve të SHISH-it në kuadër të procesit të vettingut.

Rrjedhja e pretenduar ndodh në një moment veçanërisht delikat për institucionin, ndërsa ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohet për disa vepra penale.

Autenticiteti i plotë i materialeve të publikuara mbetet për t’u verifikuar. Megjithatë, nxjerrja e pretenduar e të dhënave të qindra punonjësve dhe dokumenteve të brendshme vendos sërish në qendër të vëmendjes sigurinë e informacionit brenda një prej institucioneve më të ndjeshme të shtetit.