Skip to content
Të Gjitha

Qindra policë të infektuar me Covid, zëvendësohen nga kolegët me orë shtesë!

· 2 min lexim

Që pas shpalljes së pandemisë në muajin mars, policia shqiptare kaloi në shërbim të përforcuar, më së shumti duke kontrolluar zbatimin e rregullave antiCovid, siç është së fundmi mbajta e maskës, apo edhe kontrolle në lokale për muzikë pas orës 8 të mbrëmjes.

Policia e Shtetit që pas shpalljes së pandemisë në mes të muajit mars, ka bërë shërbime të përforcuara bazuar edhe në protokollin e ri të masave anti-covid.

Patrullat e policisë kanë kontrolluar gjatë gjithë kohës individët, hapësirat publike, respektimet e akteve normative si mbajtja e maskës, mbyllja e muzikës nëpër lokale pas orës 20:00 të mbrëmjes, si dhe kufizimet e lëvizjeve gjatë fashës orare 22:00-6:00.

Mirëpo dalja në krye të detyrës në terren, ka bërë që policët të jenë shumë të ekspozuar dhe të rrezikuar nga covid-19.

Postblloqet dhe kontrollet e policëve, janë kthyer mesa duket edhe në burim infeksioni për vetë policët, duke rrezikuar jetën e tyre.

Aktualisht sot që po flasim janë rreth 600 efektivë policie të prekur me koronavirus, gjë që ka sjell alarm te shefat e tyre, për mënyrën se si do të organizojnë shërbimet ndaj qytetarëve, duke mbajtur rendin dhe për të parandaluar veprimtaritë e ndryshme kriminale.

Mungesa e punonjësve të policies të infektuar me covid-19, është vënë re në disa komisariate të vendit, dhe jo zyrtarisht mësohet se ata zëvendësohen nga kolegët e tyre nëpërmjet orëve shtesë, duke u shtuar një ngarkesë më të madhe pune.

Deri më tani, infektimi me covid, ka rezultuar fatal për dhjetë efektivë policie, të cilët u infektuan gjatë detyrës.

Pas mjekëve dhe infermierëve, shërbimet e policisë janë në vijën e parë të kontaktit me qytetarët, pasi u duhet të kontrollojnë respektimin e masave anticovid, të jenë në gatishmëri për të parandaluar ngjarjet kriminale apo edhe policia rrugore për kontrollet për parandalimin e aksidenteve, pa e ditur nëse personi që po përballen, mund të jetë mbartës i virusit apo jo./GazetaReforma.com/