Skip to content
Të Gjitha

Protesta në Tiranë/ Ambasada e SHBA-ve: Demonstratat mund të përhapen

· 2 min lexim

Ambasada amerikane në Shqipëri ka reaguar sot një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga policia.

Në një njoftim në faqen e saj zyrtare, ambasada e SHBA-ve ka bërë vetëm një lajmërim për qytetarët e saj në vendin tonë që të kenë kujdes dhe të shmangin tubimet e mëdha, pasi demonstratat mund të përhapen edhe në zonat e tjera të vendit.

Ambasada amerikane, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim tjetër pro ose kundër protestës apo ngjarjes së vrasjes së të riut 25-vjeçar nga policia, duke qëndruar e ftohtë përball këtij rasti.

Ja reagimi i Ambasadës së SHBA-ve:

“Ambasada ka marrë raporte për protestën që ndodhi përpara zyrave qeveritare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Raportet tregojnë se disa protestues kanë hedhur objekte në drejtim të policisë dhe disa efektivë u plagosën.

Efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të kontrolluar turmën. Qytetarët amerikanë duhet të shmangin tubimet e mëdha, pasi demonstrata të ngjashme mund të përhapen në zona të tjera.

Personeli i ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjes janë këshilluar të shmangin të gjithë vendet, ku demonstratat janë të vazhdueshme”,– thuhet në njoftimin e ambasadës.

/GazetaReforma.com/