Skip to content
Të Gjitha

Policia e rrëmbeu gazetarin pranë redaksisë/ Reagon Presidenti: Prokuroria të hetojë pa hezitim ngjarjen

· 2 min lexim

Nuk ka mbetur pa ngjallur reagimin e Kreut të shtetit akti brutal ndaj një punonjësi të medias, për më tepër ndaj një kryeredaktori, akti i sotëm i marrjes me forcë të gazetarit dhe kryeredaktorit të gazetës “Koha Jonë”.

Presidenti Ilir Meta, ka dënuar edhe njëherë dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarëve. Rasti më I fundit është ai I kryeredaktorit të ‘Koha Jonë’ Qamil Xhani që është shoqëruar për disa orë në komisariat, pasi u ndalua pranë ambienteve të redaksisë.

Meta shkruan se: “Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias”.

Ja statusi i Presidentit Ilir Meta:

“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.

Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.

Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.

I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.

I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, NUK DO TË LEJOJ KURRË INSTALIMIN E MODELIT LUKASHENKO NË SHQIPËRI”.

/GazetaReforma.com/