Skip to content
Kryesore

“Po silleni si pushtues”/ Gjekmarkaj shpërthen për Territorialen: Krim i legalizuar me votë, po krijoni anarki për të mbajtur pushtetin

· 3 min lexim

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës për reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë një “anarki administrative” që, sipas tij, nuk synon përmirësimin e qeverisjes, por mbajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj deklaroi se kishte përgatitur fillimisht një analizë të gjatë mbi ndarjen territoriale të Shqipërisë që prej vitit 1920, duke përfshirë historinë, gjeografinë, identitetin, kulturën, religjionin dhe lidhjen e krahinave me territorin. Megjithatë, tha se hoqi dorë nga leximi i saj, pasi argumentet dhe kundërargumentet për reformën ishin konsumuar gjatë debatit parlamentar.

Deputeti demokrat tha se gjatë pesë viteve të tij në Kuvend ka krijuar bindjen se pas nismave ligjore dhe reformave të mazhorancës qëndrojnë interesa dhe qëllime konkrete.

“Në qoftë se flitet për reformë, siç është reforma territoriale, qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë, qëllimi nuk është për të përmirësuar qeverisjen, qëllimi nuk është për t’i dhënë autonomi, për të forcuar identitete, për të krijuar vatra pushteti që ju shërbejnë qytetarëve, ose për më tepër për ta integruar më mirë Shqipërinë në Europë. Aspak. Qëllimi është për të krijuar një anarki administrative me një synim të vetëm. Synimi është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo truk”, deklaroi Gjekmarkaj.

Ai sulmoi gjithashtu mënyrën se si përfaqësuesit e mazhorancës argumentojnë reformën, duke përmendur Arbjan Maznikun dhe Taulant Ballën.

“Fjalët territor, qytetarë, dinjitet, bereqet, selamet, integrim, pasurim, predikim kërcasin si arra në gojën e Maznikut, në gojën e Taulantit e në gojën e të tjerëve, por nuk bindin askënd”, tha ai.

Gjekmarkaj e krahasoi reformën me Kushtetutën e vitit 1975, duke deklaruar se ajo nuk është “as logjike, as juridike dhe as europiane”.

Tonet u ashpërsuan më tej kur deputeti demokrat akuzoi mazhorancën se po sillet si “pushtues” ndaj vendit dhe qytetarëve.

“Por mënyra se si po e konkludoni këtë reformë tregon se cila është marrëdhënia juaj me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Ju po silleni si pushtues. Kjo reformë është incest moral, është incest etik, është incest politik, është një krim i legalizuar me votë, është një turp i përballuar pa dinjitet, është një nënshtrim kolektiv i një partie të madhe”, deklaroi Gjekmarkaj.

Sipas tij, reforma përbën gjithashtu “një atentat të kryer nga frika” dhe “një rrëmujë hibride të mediokritetit”, ndërsa paralajmëroi mazhorancën se ndryshimet territoriale nuk do ta mbrojnë atë nga pakënaqësia e qytetarëve.

“Është e përkohshme periudha kur popujt kanë frikë nga qeveria, por vjen dita kur qeveria ka frikë nga populli”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës, Gjekmarkaj përdori tone edhe më të forta, duke pretenduar se reforma po afron momentin e përballjes së qeverisë me zemërimin dhe gjykimin e qytetarëve.

“Shqiptarët nga natyra janë shpërthyes dhe kur dita dhe momenti të vijnë, mendoj që ata nuk do ta njohin instrumentin e mëshirës. Kështu që përgatituni të përballeni, ose më mirë mos u përballni, thjesht ikni siç dini të ikni nga e vërteta”, përfundoi Gjekmarkaj.