Skip to content
Të Gjitha

Plagoset në sy agjenti krimeve i policisë, e goditi një kapsollë

· 2 min lexim

Policia e Shtetit pretendon se një oficer i krimeve është plagosur ne sy me nje kapsollë.  Sipas njoftimit, nga përplasja që ka ndodhur mes protestuesve dhe efektivëve tek Drejtoria e Policsë, ka mbetur i lënduar një efektiv.

Burimet bëjnë me dije se është plagosur në sy një specialist i hetimit të krimeve në Komisariatin nr.1, si pasojë e plasjes së një kapsolleje.

“Rreth orës 19:30, tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, si pasojë e gurëve dhe kapsollave të hedhura në drejtim të punonjësve të policisë nga turma e protestuesve është dëmtuar në pjesën e syrit nga një kapsollë një Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr.1, i cili u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore për në spitalin ‘Nënë Tereza’”, deklaron Policia.

Ky është rasti i dytë brenda katër ditëve që një efektiv policie plagoset në sy gjatë protestave të qytetarëve pas vrasjes së Klodian Rashës. Efektivi i cili u dëmtua në protestën e parë rrezikon të humbasë syrin, por do të dërgohet në një spital në Turqi për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të specializuar.  Policia nuk sqaron nëse efektivi u plagos kur ishte në mes të  turmës me mision apo ndodhej pas kordonit të policisë.