Pas revoltës për talljen me protestën, Agron Llakaj justifikohet: “Merreni me sportivitet”! Por qytetarët nuk protestojnë për sport

Pas revoltës që shpërtheu në rrjet ndaj “Portokallisë”, Agron Llakaj ka reaguar për skeçin që ktheu protestuesit në personazhe humori. Drejtuesi i spektaklit thotë se askush nuk është fyer, se janë përdorur personazhe që ishin bërë më parë meme dhe u kërkon kritikëve të “marrin jetën më me sportivitet”.
Por pikërisht këtu përgjigjja e Llakajt përplaset me thelbin e kritikës.
Njerëzit nuk kanë afro 130 ditë që protestojnë “për sport”. Nuk dalin në rrugë që revolta e tyre të trajtohet si një fenomen zbavitës. Dhe zemërimi që shpërtheu pas “Portokallisë” nuk lidhet vetëm me faktin nëse një personazh u ndje apo jo personalisht i fyer. Kritika është shumë më e madhe: pse, nga gjithë realiteti politik shqiptar, një spektakël satire zgjodhi pikërisht protestuesin për ta kthyer në gallatë?
Llakaj thotë se personazhet e përdorura në skeç “u bënë virale” dhe se në protestë kishte edhe “njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake”.
“Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Edhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, deklaroi ai.
Më tej, Llakaj kërkon të ndalet gjuha e urrejtjes ndaj aktorëve dhe këmbëngul se spektakli nuk ka sulmuar protestën.
“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe. Konica thotë ‘ti ke gjithë të drejtën tënde për lirinë që ke, por nuk ke pse të fyhesh nga liria ime’”, tha Llakaj.
Por debati që shpërtheu pas premierës nuk është për të drejtën e “Portokallisë” për të bërë humor. Askush nuk ia ka hequr këtë të drejtë. Debati është për zgjedhjen që bëri me këtë liri.
Shqipëria nuk vuan për mungesë materiali për humor politik. Skandalet qeveritare, korrupsioni, tenderat, koncesionet, abuzimet me paratë publike dhe zyrtarët që përballen me drejtësinë ofrojnë material të bollshëm. Megjithatë, në një protestë të ngritur pikërisht kundër këtij realiteti, “Portokallia” zgjodhi protestuesin.
Llakaj kundërshton edhe idenë se programi po kursen politikën. Ai thotë se në spektakël ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës dhe Sali Berishës.
“Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës. Sipas tyre, si mund të ndihen politikanët që janë në optikën tonë. Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës”, deklaroi ai.
Por “merreni me sportivitet” është ndoshta fjalia që tregon më qartë distancën mes reagimit të Llakajt dhe zemërimit të publikut.
Protesta nuk është një ndeshje. Pas pankartave që përfunduan në skenën e humorit ka qytetarë që prej muajsh dalin në rrugë për çështje që i konsiderojnë serioze. Pikërisht banalizimi i kësaj revolte është ajo që shumë prej kritikëve i faturuan “Portokallisë”.
Situata bëhet edhe më e debatueshme për shkak të një fakti tjetër që tashmë është publik. Vajza e Agron Llakajt, Alkida Llakaj, mban prej marsit 2025 postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Agron Llakaj ndërkohë është rikthyer pas 16 vitesh dhe ka marrë drejtimin e “Portokallisë”. Në premierën e sezonit të tij të parë, protesta kundër qeverisë përfundoi në skenë si parodi. Tani, pas kritikave, përgjigjja është që qytetarët duhet ta marrin “më me sportivitet”.
Në rrjet, reagimi ka qenë krejt tjetër. Ndjekësit kanë akuzuar spektaklin për servilizëm, kanë shprehur zhgënjim për drejtimin e ri dhe kanë kërkuar deri në bojkot të “Portokallisë” dhe Top Channel. Veçanërisht të ashpra kanë qenë reagimet e atyre që kujtojnë një “Portokalli” që e ndërtoi suksesin duke vendosur politikën nën tehun e satirës.
Top Channel, që për një kohë të gjatë nuk i dha protestës të njëjtën peshë që protestuesit kërkonin, e solli atë në një prej programeve të tij kryesore si parodi. Pas kritikave, televizioni e paraqet polemikën si debat mbi kufijtë e humorit dhe lirinë e artistit.
Por problemi që ngritën qytetarët është tjetër: çfarë zgjedh të bëjë një ekran me revoltën e tyre?
Sepse mund ta quash humor, ironi, sarkazëm apo liri artistike. Mund t’u kërkosh njerëzve edhe ta marrin “me sportivitet”. Por kjo nuk e ndryshon atë që panë në ekran.
Një protestë kundër pushtetit u bë gallatë. Drejtuesi i ri i “Portokallisë”, vajza e të cilit drejton një institucion shtetëror, u thotë tani kritikëve të qeshin dhe të mos e marrin kaq seriozisht.