Skip to content
Të Gjitha

Osmani zbulon diskutimin me Metën, kërkon miratimin e rezolutës për gjenocidin serb (DETAJE)

· 2 min lexim

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë konferencës së përbashkët me homologun e saj Ilir Meta,  zbuloi disa nga çështjet të cilat ishin diskutuar në takimin e tyre.

Osmani tha se miratimi i rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë, nga Kuvendi i Shqipërisë, është një ndër çështjet kryesore që ajo dhe gjithë institucionet e Kosovës presin që “të ndodhin natyrshëm”.

Ndër të tjera Presidentja e Kosovës, u shpreh se e mbështet presidentin Meta në thirrjet e tij kundër idesë së ndryshimit të kufijve.

Edhe pse konsiderohet si “një ide e vdekur”, Osmani theksoi se kjo tezë mund të kthehet sërish në tavolinë në një të ardhme jo shumë të largët.

Çështja e tretë për të cilën u diskutua në takimin me presidentin Meta, mësohet se është fshirja e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas Presidentes në detyrë të Kosovës,  ky veprim është një tjetër lëvizje e Serbisë e cila sipas Osmanit po kryen një “spastrim etnik të heshtur” aty ku jetojnë shqiptarët.

“Kërkesa tonë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi ynë e ka miratuar tashmë këtë deklaratë, dhe është krejtësisht e natyrshme që të presim që vendi i dytë që do ta bëjë këtë të jetë Shqipëria.

Çështja e dytë është për qëndrimin e tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës për ndryshim kufijsh. Sado që kjo të mendohet si ide e vdekur, unë mendoj që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë.

Pasivizimi i adresave atje është një spastrim etnik i heshtur, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Kërkon një bashkëpunim më të gjerë, në mënyrë që Serbia të ndërprejë këtë krim që po kryhet atje”, tha ndër të tjera Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./Gazetareforma.com/