“Një makinë e zezë më doli përpara”, gazetarja Kamila Xhakaj rrëfen si ndodhi aksidenti, vetëm pak pas përballjes me Belinda Ballukun

Gazetarja investigative e “Fiks Fare”, Kamila Xhakaj, ka thyer heshtjen pas aksidentit të rëndë me motor që pësoi më 7 tetor, vetëm pak orë pas përballjes me Belinda Ballukun, së cilës i kishte kërkuar përgjigje për kërcënimet e denoncuara nga dëshmitarja e SPAK, Mirzeta Kashnica.
Në reagimin e saj publik, Xhakaj ka zbardhur dinamikën e aksidentit, duke treguar se një automjet i zi i kishte prerë papritur rrugën pranë Kastratit, përballë QTU-së, në orën 09:40 të mëngjesit.
“Një makinë e zezë më doli përpara. Kisha një furgon në të majtë, ndërsa makina më preu rrugën duke frenuar vetëm pak metra larg meje, me idenë për të marrë karburant. Një manovër e tij nga tri korsi në të majtë, drejt meje në të djathtë, dhe një frenim që nuk më la as kohë të reagoja. Nuk kisha ku të shkoja: furgonin në të majtë, barrierën e rrugës në të djathtë. Frenimi me dorë dhe këmbë njëkohësisht nuk mjaftonte më. Mbaj mend vetëm përplasjen dhe pastaj tokën. Për pak sekonda, humba ndjenjat”, rrëfen gazetarja.
Sipas saj, drejtuesi i automjetit kishte ndaluar pas përplasjes, por nuk i ishte afruar për ta ndihmuar. Xhakaj përshkruan momente të rënda, gjatë të cilave mezi merrte frymë, ndërsa një djalë i panjohur i qëndroi pranë dhe i mbajti dorën deri në mbërritjen e ndihmës.
Por ajo që tërheq vëmendjen është pasiguria që vetë gazetarja shpreh për rrethanat e ngjarjes.
“Nuk e di nëse ishte thjesht pakujdesi njerëzore apo një nga ato raste që të bëjnë të mendosh për planin e Zotit. Uroj dhe shpresoj të ketë qenë thjesht një aksident nga pakujdesia e personit që më preu rrugën. Aksidenti është nën hetim dhe do të shqyrtohet nga ekspertiza. Pasi të dalë përfundimi, çdo gjë do të dalë në dritë.”
Kjo deklaratë vjen pas një kronologjie që ka ngritur pikëpyetje. (Lexo këtu)
Vetëm disa orë përpara aksidentit, Xhakaj ishte përballur me Belinda Ballukun për investigimin mbi dëshmitë e Mirzeta Kashnicës, e cila ka denoncuar kërcënime dhe presione në lidhje me hetimet e SPAK.
Balluku nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetares, ndërsa gjatë përballjes pretendohet se e shtyu atë dhe më pas nxori telefonin për të filmuar grupin televiziv.
Pak orë më vonë, gazetarja përfundoi në Spitalin e Traumës me fraktura, pas një manovre të papritur të një automjeti që, sipas rrëfimit të saj, i preu rrugën nga tri korsi larg.
Rastësi apo një kronologji që kërkon verifikim më të thelluar? A ishte manovra e drejtuesit të automjetit thjesht pakujdesi? Përse ai frenoi vetëm pak metra përpara motorit? A është identifikuar drejtuesi dhe a janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë?
Ngjarja rikthen në vëmendje edhe rastin e gazetarit Kastriot Myftaraj, i cili më 3 nëntor 2021 kishte depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut, përpara se të humbiste jetën pas rënies nga kati i katërt i banesës së tij. Vdekja u trajtua fillimisht si vetëhedhje dhe Prokuroria kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa familjarë dhe persona të afërt ngritën dyshime për rrethanat. Nuk është provuar ndonjë lidhje me kallëzimin.
Në rastin e Kamila Xhakajt, ende nuk ka një përfundim zyrtar që të përcaktojë plotësisht përgjegjësitë dhe rrethanat e aksidentit.
Përballja me Ballukun, manovra e papritur e makinës së zezë dhe aksidenti vetëm pak orë më vonë: një rastësi e rëndë apo ka detaje që ekspertiza ende duhet t’i nxjerrë në dritë?
View this post on Instagram