Një aferë me SMS

Nga Klodian Tomorri
Në datën 17 nëntor AKSHI shpalli një tender me fond limit 808 milionë lekë për të blerë SMS, të cilat do t’u dërgohen përdoruesve të e-Albanias. I justifikuar në kuadër të masave për rritjen e sigurisë kibernetike, tenderi parashikon blerjen e 84 milionë SMS-ve në total për një periudhë 2 vjeçare.
Kostoja mesatare e një SMS-je rezulton 9.6 lekë. Por ky është çmim pa tvsh. Nëse përfshihet dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, çmimi rezulton 11.5 lekë për SMS.
Blerja e SMS-ve për klientët është një praktikë që e përdorin një sërë biznesesh nga kompanitë e reklamave deri tek ato të sistemit financiar. Për shembull, të gjitha bankat e nivelit të dytë blejnë paketa masive SMS-sh nga kompanitë celulare për të komunikuar me klientët që përdorin shërbimet e tyre. Por ajo që ndryshon, janë çmimet.
Bankat, të cilat shpenzojnë paratë e tyre, aktualisht e blejnë një SMS me një çmim mesatar, i cili varion nga 1 deri në 1.5 lekë me TVSH. Ndërsa AKSHI, e cila shpenzon paratë e qytetarëve, ka përcaktuar në fondin limit një çmim 11.5 lekë për SMS. Pra 10 herë më shtrenjtë.
Tenderi i shpallur pritet të zhvillohet na datën 19 dhjetor dhe nëse nuk ndalet, pasojat financiare janë të mëdha. Nëse AKSHI do t’i blinte SMS-të me çmimin që i blejnë bankat sot, buxheti i shtetit do të kishte shpenzuar maksimalisht 150 deri në 200 milionë lekë së bashku me TVSH-në. Por tani rrezikon të shpenzojë 970 milionë lekë. Pra 770 milionë lekë ose gati 8 miliardë lekë të vjetra shtesë mbi çmimin e tregut. Kjo është fatura e abuzimit, që do të paguajnë qytetarët shqiptarë.
E gjitha kjo nën hundën e Agjencisë së Prokurimeve, AKEPI-it, trupave të inspektimit financiar dhe Prokurorisë. Vetë AKSHI justifikohet se ka ndjekur procedurat ligjore në përcaktimin e fondit limit duke kërkuar oferta paraprake nga disa operatorë, të cilat rezultojnë në këto nivele çmimesh. E megjithatë kostoja e SMS-ve është lehtësisht e verifikueshme.
Ata që e njohin mirë tregun dhe industrinë celulare thonë se kostoja e një SMS-je është praktikisht zero. Nga ana tjetër, prokuroria e ka shumë kollaj të administrojë kontratat e bankave dhe kompanive publicitare për blerjen e SMS-ve. Po kështu e ka shumë të lehtë të kontaktojë AKEP.
Tregu i telefonisë është i rregulluar dhe tarifat e tij monitorohen periodikisht nga AKEP. Ironikisht pjesë e këtij institucioni, dikur ka qenë dhe vetë drejtuesja aktuale e AKSHI-t. Por me sa duket, tarifat e shërbimeve celulare duken ndryshe nga AKEP dhe ndryshe brenda AKSHI-t. Gjithsesi.
Ky është një tender që duhet ndalur. Por duhet ndalur pa u zhvilluar ende. Nëse zhvillohet, qytetarëve shqiptarë do t‘u merren padrejtësisht 8 miliardë lekë ose gati 7 milionë euro. Është vjedhje e madhe.