Nën masë sigurie nga SPAK: Kreu i SHISH, Vlora Hyseni dorëzohet në kufi me Kosovën

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në kufirin me Kosovën, pasi ndaj saj Gjykata e Posaçme caktoi masë sigurie dhe pezullimin nga detyra.
Hyseni ndodhej në territorin e Kosovës dhe është dorëzuar në pikën kufitare Vërmicë-Morinë, duke kaluar në duart e autoriteteve shqiptare.
Hetimet e SPAK kanë çuar te drejtuesja e SHISH, ndaj së cilës, sipas të dhënave të bëra publike, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të shoqëruar me pezullimin nga detyra.
Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”.
Masa nuk ishte ekzekutuar më herët, pasi Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë. Ajo kishte udhëtuar drejt Bakusë, në Azerbajxhan, për një vizitë pune, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme. Pas kthimit, ajo ka kaluar përmes Kosovës dhe tashmë iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në kufi.
Në kuadër të së njëjtës dosje, agjentët e BKH kanë ushtruar kontroll personal dhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nën dyshimin se mund të gjendeshin prova dhe fakte me interes për hetimin.
Pas kontrollit, Proda u shoqërua drejt SPAK, ku u pyet për gati tre orë. Ai mbajti postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në mars të vitit 2026, kur u shkarkua pas incidenteve të shkaktuara gjatë protestave.
Por Hyseni dhe Proda nuk janë emrat e vetëm të përfshirë në aksion. SPAK ka ekzekutuar masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa banesa dhe zyra.
Mes personave të arrestuar është Fatjon Kalluçi, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore, i cili hetohet për veprën penale të zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete.
Në pranga është vënë gjithashtu Embro Sulejmani, pronar biznesi në zonën e Durrësit, i cili hetohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.