Skip to content
Të Gjitha

Ndarja nga jeta e Presidentit të ‘Fax News’, Kasem Hysenbelliu. Meta, Basha dhe Balla ngushëllojnë nga rrjeti

· 2 min lexim

Sapo mediat sot kanë njoftuar ndarjen e parakohëshme nga jeta të botuesit dhe presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliut, si pasojë e koronavirusit, kanë nxituar të parët politikanët kryesorë të vendit të shprehin ngushëllimet.

Nga rrjetet sociale i pari Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pastaj me radhë kreu i PD-së, Basha, ai i grupit parlamentar të PS-së, Balla, etj., u kanë shprehur familjarëve ngushëllimet për humbjen e botuesit Kasem Hysenbelliu.

Presidenti Meta ka shprehur trishtimin e tij për ndarjen para kohe nga jeta të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, i cili, sipas tij, u shua mëngjesin e sotëm pasi nuk mundi të fitojë dot betejën me koronavirusin.

Meta thotë se, në këto momente të vështira i gjendet pranë familjarëve, ndërsa shpreh solidaritet edhe për gazetarët e “Fax News” dhe “Faxweb.al”, të cilët i inkurajoi të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu.

Statusi i plotë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

“Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze.

Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe Faxweb.al, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik.

I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut!

U prehsh në paqen e merituar!”

/GazetaReforma.com/