Skip to content
Politikë

“Mos u gënjeni nga ata që sajojnë lajme përçarëse”, Bardhi mesazh demokratëve

Ditën e sotme Sekretari i Partisë Demokratike Gazment Bardhi reagoi pas akuzave ndaj tij dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha për situatën e krijuar brenda kampit blu me organizimin e dy kuvendeve në 11…

· 3 min lexim

Ditën e sotme Sekretari i Partisë Demokratike Gazment Bardhi reagoi pas akuzave ndaj tij dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha për situatën e krijuar brenda kampit blu me organizimin e dy kuvendeve në 11 dhe 18 dhjetor. Në profilin e tij në Facebook, Bardhi u drejtohet demokratëve duke u kujtuar se personat që po sulmojnë aktualisht Bashën dhe mbështetësit e tij janë të njëjtët njerëz që kanë abuzuar me pushtetin gjatë periudhave të qeverisjeve të PD-së, të cilët i kanë parë anëtarët e PD-së si mundësi për t’u ngjitur në pushtet për përfitim interesash personale.

POSTIMI I GAZMENT BARDHI

Pas sajesave të ulëta ndaj Kryetarit të PD për gjoja fyerje ndaj anëtarëve të Partisë, prej disa ditëve kanë nisur të njëjtat sajesa ndaj meje, duke më vënë në gojë fjalë që nuk i kam thënë dhe nuk do t’i thoja kurrë për demokratët. Deklaratat e mia janë publike dhe në të njëjtin lajm të sajuar keq, kushdo mund të dëgjojë çfarë kam thënë për të kuptuar që titulli i lajmit është thjesht një gënjeshtër.

Transformimi i të vërtetave është tregues i hallit të madh të atyre që po mundohen të keqpërdorin demokratët, pamundësinë e tyre për një jetë më të mirë, sakrificën e përditshme dhe dëshpërimin nga pengesa për ndryshim.
Këtë e bëjnë të njëjtët individë që anëtarët e partisë dhe votuesit e Partisë Demokratike i kanë parë vetëm si mundësi për pushtet personal, për të shtuar mirëqenien dhe pasurinë e tyre. Janë të njëjtët që demokratët e vërtetë, që kanë sakrifikuar për PD pa marrë kurrë asgjë në këmbim, i kanë lënë prej 30 viteve pas derës, në varfëri ekstreme, që nuk iu gjendën kurrë, kur kishin një problem, që i lanë pa ua legalizuar shtëpitë, pa u dhënë hipotekën e banesës, pa u dhënë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, pa u kthyer pronat, që i sillnin vërdallë me muaj apo vite për një vend pune.

Kjo kategori është më e zjarrta për nxitjen e perçarjes mes demokratëve. Jam i bindur se mes nesh nuk do të triumfojë dëshpërimi, hakmarrja, inatet, përçarja. Në 18 dhjetor ne do të tregojmë se kemi kurajo për të kapërcyer bashkë vështirësitë dhe mosbesimin! Të bashkuar do të ringrihemin dhe do të fitojmë!

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, SHBA-ja shpalli ish-kryeministrin Berisha si “non grata” me pretendimin se ai ka abuzuar me pushtetin dhe ka kryer korrupsion. Kryedemokrati Lulzim Basha mori personalisht përsipër përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së duke mos vendosur ta hidhte në votë propozimin për përjashtimin e tij.

Që prej  këtij momenti, Partia Demokratike është ndarë në dy kampe mes Lulzim Bashës dhe ish-liderit historik Berisha. Ky i fundit nisi një tur në çdo qytet të Shqipërisë duke akuzuar Bashën se po bashkëpunon me kryeministrin Rama për të shkatërruar PD-në dhe opozitën. Sulmet midis tyre u ashpërsuan në dy muajt e fundit me Bashën që e konsideroi Berishën si pjesë e “trekëndëshit të Bermudës” në politikën shqiptare Rama-Meta-Berisha.

Basha dhe Berisha kanë vendosur të mbajnë secili kuvend kombëtar të PD-së, njëri në 11 dhjetor dhe tjetri në 18 dhjetor.