Skip to content
Kryesore

Më në fund reagojnë pedagogët! 735 firmëtarë kërkojnë dorëheqjen e Ramës pas kërcënimeve për vendet e punës

· 3 min lexim

Më në fund, edhe zëri i akademikëve dhe pedagogëve shqiptarë është dëgjuar. Me vonesë, pas muajsh protestash dhe ditësh të tensionuara, por më mirë vonë se kurrë!

Plot 735 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike kanë nënshkruar një deklaratë me pesë pika, të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e dhunës policore ndaj studentëve.

Reagimi vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm, pas deklaratave të sotme të Edi Ramës, të cilat janë interpretuar si kërcënime për vendet e punës. Pas një heshtjeje të gjatë, përfaqësues të botës akademike dalin publikisht me kërkesa që prekin drejtpërdrejt drejtimin e qeverisë dhe mënyrën se si po trajtohen protestuesit.

Pesë kërkesat e deklaratës

Në dokumentin e nënshkruar, akademikët parashtrojnë pesë kërkesa dhe thirrje konkrete:

  1. Dorëheqjen e Edi Ramës. Kryeministrit i kërkohet t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit duke dhënë dorëheqjen.
  2. Krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional dhe të respektojë vullnetin qytetar.
  3. Ndalimin e menjëhershëm të dhunës policore ndaj studentëve. Policisë së Shtetit dhe trupave të rendit u kërkohet të refuzojnë prerazi zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
  4. Reagimin e përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të ndërhyjnë publikisht për të ndalur shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore.
  5. Mbrojtjen e pronës dhe mbështetjen qytetare. Protestuesve u kërkohet të ruajnë bizneset, pronën publike dhe private, duke mos i dhënë regjimit asnjë pretekst për ushtrimin e dhunës apo delegjitimimin e revoltës. Qytetarëve të Tiranës u bëhet thirrje të mbështesin të rinjtë dhe të qëndrojnë përballë dhunës shtetërore.

Mes firmëtarëve të deklaratës janë emra të njohur të jetës akademike dhe publike, si Stefan Çapaliku, Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Petraq Milo dhe Lutfi Dervishi.

Nesër, pedagogët dalin në marshim kundër dhunës ndaj studentëve

Reagimi nuk kufizohet vetëm te deklarata e nënshkruar.

Për nesër, më 20 tetor, në orën 10:00, është njoftuar një marshim i pedagogëve kundër dhunës ndaj studentëve, me pikë grumbullimi përpara Universitetit Politeknik të Tiranës.

Në thirrjen publike ftohen të bashkohen edhe prindërit dhe qytetarët, pavarësisht bindjeve politike.

“Nuk duhet të jesh pedagog apo student për të qenë aty. Mjafton të besosh se fëmijët tanë meritojnë dinjitet, siguri dhe të drejtën për t’u shprehur.”

Mesazhi përmbyllet me fjalët:

“Studentët janë fëmijët tanë. Heshtja nuk është zgjidhje!”

Një reagim i vonuar, por me peshë

Për muaj të tërë, protestat kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e institucioneve dhe përfaqësuesve të jetës publike. Tashmë, 735 firmëtarë kërkojnë jo vetëm ndalimin e dhunës, por edhe dorëheqjen e kryeministrit dhe një zgjidhje të re institucionale.

Deklarata dhe marshimi i paralajmëruar për nesër shënojnë një angazhim publik të përfaqësuesve të botës akademike në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së protestës.

Tani mbetet të shihet nëse kjo deklaratë do të pasohet nga një angazhim i qëndrueshëm publik.