“Më kërcënonin në shtëpi, më dërgonin njerëz”/ Vartësja dëshmon kundër Ballukut, SPAK: Në presione u përfshinë kabineti dhe “të fortët”

Detaje të rënda dalin nga dosja e SPAK ndaj Belinda Ballukut. Dëshmia e Mirzeta Kashnicës, punonjëse e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e pandehur që ka bashkëpunuar me prokurorët, tregon për presione dhe kërcënime që, sipas saj, kanë prekur edhe familjen. SPAK deklaron se vetë Balluku ka ushtruar presion ndaj vartëses së saj, ndërsa në përgjimet e administruara në dosje përmenden persona nga kabineti i ministres dhe “të fortë”.
Dëshmia dhe detajet e hetimit janë bërë publike nga “Fiks Fare”, që ka siguruar deklarimet e prokurorëve në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Prokurori Dritan Prençi deklaroi para deputetëve se pas njohjes me akuzën, Balluku kishte bërë përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët.
“Në vijim të hetimit, ka rezultuar se, e pandehura Belinda Balluku […] ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim penal, konkretisht; shtetases Mirzeta Kashnica, vartëse e saj”, deklaroi Prençi.
Sipas prokurorit, qëndrimi i Ballukut në gjendje të lirë krijonte “rrezik real në mbledhjen e provave”, ndërsa SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurisë me arrest.
Por pjesa më e rëndë lidhet me atë që Kashnica ka treguar për presionet ndaj saj. Prokurori tha se nga materialet hetimore rezulton se ajo ishte e frikësuar dhe përmendte si persona zyrtarë, ashtu edhe “persona të fortë në rang grupesh të tjera”. Sipas SPAK, në biseda përmendet edhe tentativa për ta bindur përmes korrupsionit që të ndryshonte deklarimet ose të zëvendësonte avokatin.
Në dëshminë e lexuar në Kuvend, Kashnica përshkruan kërcënime që, sipas saj, shkuan deri te familjarët:
“[…] më kërcënonin në shtëpi, më dërgonin njerëz. Për Zotin, po më dërgonin njerëz; më sillnin babanë në 10 të darkës, kërcënime për dhjetë ditë; do të heqim mamanë nga puna, motrën, ty.”
Edhe drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, ngriti shqetësimin se presionet mund të kishin cenuar hetimin. Ai deklaroi se një bisedë e përgjuar krijonte “dyshime serioze” për dëmtimin e provave dhe se bashkëbiseduesit u referoheshin personave nga kabineti i ministres.
Babai i Kashnicës, Zaim Krasniqi (alias Dhimitër Kashnica), ka deklaruar ndërkohë për “Fiks Fare” se presionet ndaj së bijës vazhdojnë edhe sot. Sipas tij, ajo i kishte treguar vetëm pak ditë më parë se po mendonte të largohej nga puna.
“Shumë, shumë! Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma”, deklaroi ai.
Ai pretendon gjithashtu se vajza vendosi të bashkëpunonte me SPAK dhe të denonconte presionin që thotë se kishte marrë nga Balluku.
Dosja lidhet me hetimet për procedurën e tenderimit të tunelit të Llogorasë. SPAK pretendon se fituesi ishte paracaktuar dhe se kompanisë fituese iu krijuan avantazhe të padrejta. Kashnica ishte një prej pesë anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Tashmë, përtej procedurës së tenderit, hetimi ka nxjerrë në qendër edhe një tjetër çështje: pretendimet për presion ndaj një vartëseje që bashkëpunoi me SPAK dhe rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat.