“Kam frikë se do t’i bëjë keq babait”/ Zbardhet dosja e Xhuana Nikollajt: Kërcënimet e ish-it, konflikti pas ekskursionit dhe dhuna një ditë para tragjedisë

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për rastin e Xhuana Nikollajt, nga dëshmitë dhe komunikimet e saj të zhvilluara pak para se ajo të ndërmerrte aktin ekstrem.
Në dosje është administruar dëshmia e një prej mikeshave me të cilën Xhuana ndante banesën me qira. Hetuesit kanë sekuestruar dhe analizuar gjithashtu komunikimet që ajo kishte zhvilluar me motrën e saj pak para ngjarjes.
Nga këto biseda rezulton se Xhuana i kishte treguar së motrës për situatën e krijuar me ish-partnerin, Eraldo Fizi, si dhe për shqetësimet që kishte. Motra e kishte këshilluar që t’i drejtohej policisë dhe ta denonconte Fizin për dhunën e pretenduar.
Xhuana, megjithatë, nuk kishte pranuar të bënte denoncim. Në komunikimet me të motrën ajo shprehte frikën se, nëse do t’i drejtohej policisë, Fizi mund t’i bënte diçka të keqe babait të saj.
“Kam frikë se do t’i bëjë keq babait”, është shqetësimi që del nga komunikimet e administruara në dosjen hetimore.
Një tjetër detaj i dosjes lidhet me atë që kishte ndodhur mbrëmjen përpara ngjarjes. Sipas të dhënave të administruara nga hetuesit, konflikti mes tyre dyshohet se lidhej me një ekskursion pune ku Xhuana kishte marrë pjesë me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit.
Në dosje ngrihet gjithashtu dyshimi se Eraldo Fizi e kishte ndjekur Xhuanën pas këtij ekskursioni.
Vetë Fizi, gjatë paraqitjes përpara Gjykatës së Tiranës, ka pranuar se e kishte goditur Xhuana Nikollajn një herë, një ditë përpara se ajo të konsumonte fostoksinë. Ai ka mohuar, megjithatë, që dhuna ndaj saj të ketë qenë sistematike.
Dëshmitë dhe komunikimet e administruara në dosje hedhin kështu më shumë dritë mbi raportin mes tyre dhe shqetësimet që Xhuana kishte shprehur pranë familjarëve pak para ngjarjes.