“Jo në emrin tim”/ Prishtina në protestë për të 13-ën natë kundër vendimit për krerët e UÇK-së

Qytetarët janë mbledhur sërish mbrëmjen e kësaj të hëne në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vijuar për të 13-ën natë radhazi protestën “Jo në emrin tim” kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Protestuesit kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa tubimet në kryeqytetin e Kosovës vijojnë çdo mbrëmje që prej 16 shtatorit, kur u shpall aktgjykimi i shkallës së parë.
Nata e 13-të e protestës vjen vetëm disa orë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara. Dokumenti u harmonizua nga grupet parlamentare dhe u lexua në seancë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në deklaratë, Kuvendi shprehu shqetësimin për aktgjykimin dhe e konsideroi “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Pas votimit të deklaratës, PDK kërkoi që Kuvendi të procedojë edhe me votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë si hapin e radhës institucional.
Ndërkohë, protesta “Jo në emrin tim” vazhdon në rrugët e Prishtinës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve dhe një marsh të madh më 1 tetor.