Nuk ka rezultat
View All Result
Gazeta Reforma
  • Kryesore
  • Politikë
  • Drejtësi & SPAK
  • Investigime
  • Ekonomi
  • Rajoni & Bota
  • Opinion / Analizë
  • Video
  • Denonco
  • Abonohu
Gazeta Reforma
  • Kryesore
  • Politikë
  • Drejtësi & SPAK
  • Investigime
  • Ekonomi
  • Rajoni & Bota
  • Opinion / Analizë
  • Video
  • Denonco
  • Abonohu
Nuk ka rezultat
View All Result
Gazeta Reforma

Ja si u dyfishua kostoja e urës mbi Bunë ende pa nisur projekti

21:28 03/03/2023
Reading Time: 5 min lexim

Shqipëria dhe Mali i Zi, po planifikojnë të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri. Gjatë prezantimit të projektit fillestar në qershor të vitit të kaluar, kosto për ndërtimin e veprës llogaritej në vlerën 9 milionë euro. Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të dy qeverive, vlera e projektit ishte dyfishuar. Edhe pse prezantimet vizuale të projektit ishin të njëjta, asnjë nga qeveritë nuk dha sqarime mbi arsyet e shtrenjtimit të urës nga 9 milionë euro në 20 milionë euro.

Më 8 qershor të vitit të shkuar, në një takim të nismës Ballkani i Hapur në Ohër, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna, një ide e hedhur më herët nga Abazoviç që parashikon të lidh Velipojën me Ulqinin.

“…urë që do të jetë një simbol i bukur e domethënës i vizionit tonë për t’u afruar gjithnjë e më shumë në frymën e bashkëpunimit, integrimit dhe zhvillimit rajonal.” – shkruante Rama pas prezantimit të projektit.

Projekt-idea mbi urën që do të lidhë Velipojën me Ulqinin ishte përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që planifikonte si kosto për ndërtimin e veprës 9 milionë euro.

“Kjo është koncept-ideja e projektimit të urës midis Velipojës dhe zonës së Ulqinit që është edhe kjo pjesë e procesit të Ballkanit të hapur dhe eksploron mundësinë për të krijuar sinergji midis potencialeve ekonomike të të dyja vendeve. Ideja e Shqipërisë, e Ballkanit të Hapur për të shembur mure dhe për të ndërtuar ura, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë mundësinë që të shkojnë nga Mali në Shkodër përmes lumit të Bunës, në Velipojë, në Ulqin dhe përgjatë bregdetit Adriatik.”- shprehej Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli teksa prezantonte projektin.

Projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundonin deri në shkurt të vitit 2023 për të vijuar më pas me punimet ndërtimore. Si afat për përfundimin e veprës ishte dhënë gushti i vitit 2024.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi

Më 27 shkurt 2023, qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi u mblodhën në Podgoricë për të zhvilluar mbledhjen e dytë të përbashkët mes tyre. Në këtë takim, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.

“Ju e dini që kjo ide varion, madje dhe disa animime i kemi treguar, në këtë kontekst është pak më i shtrenjtë sesa e kemi menduar herën e parë. Radhën e parë nuk është aq spektakolare. Mendoj se do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë.”– bëri të ditur Abazoviç gjatë konferencës për shtyp me gazetarët. Nga ana tjetër, Rama u kujdes të theksonte se vepra do të financohej nga të dyja qeveritë.

“Këtë projekt do ta paguajnë të dyja qeveritë dhe është një projekt i cili, siç e tha dhe kryeministri, ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse më në fund do të lidhë dy anë të një kufiri që faktikisht është 300 metra, sa është ura”, tha Rama.

Ndërkohë, asnjë nga të dy kryeministrat nuk dha sqarime të qenësishme mbi dyfishimin e kostos së projektit mbi ndërtimin e urës mbi lumin Buna.

Për të bërë krahasimet me projektin fillestar, Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Agjencisë për Media dhe Informim, duke kërkuar projektin për ndërtimin e urës që do të lidhw Velipojën me Ulqinin. Projekti që na u vu në dispozicion, rezultoi i njëjtë me materialin vizual 3D që u prezantua në qershor të 2022.

I vetmi detaj që kishte ndryshuar ishte muzika në sfond të videos prezantuese.

“Investimi në urë do të jetë rreth 20 milionë euro dhe do të bashkëfinancohet nga të dy vendet. Ura do t’u kursejë turistëve dhe banorëve të zonës kohë udhëtimi, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Gjithashtu do të krijojë një dritare të re komunikimi për zonën bregdetare ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës duke sjellë rritje të turizmit dhe të ardhurave në zonë”, konfirmonte Agjencia për Media dhe Informim në përgjigjen zyrtare për Faktoje, duke shtuar se objektivi i projektit të urës mbi lumin Buna, është përmirësimi i lidhjeve ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Turizmi kërkon vepra, jo vetëm projekte

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, tha për Faktoje Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi.

“Është ndihmë shumë e madhe për turizmin shqiptar, edhe për ata që duan të shkojnë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm thjesht për turizmin shqiptar, sepse do të jetë një urë lidhëse e mirë edhe për turistët shqiptarë të Kosovës që vijnë nga diaspora dhe bëjnë turizëm në Shqipëri”, shprehet ai duke shtuar se ndërtimi i kësaj vepre duhet të nisë sa më parë, për këtë arsye:

“Me lirimin e vizave për Kosovën ne rrezikojmë pasi atyre u hapet një rrugë shumë interesante për të shkuar në Greqi. Dhe ne e ndiejmë këtë rrezik, sepse nuk është i pakët numri i turistëve që do tentojnë të gjejnë tregje të reja në Europë. Prandaj ndërtimi i kësaj ure që krijon lehtësi dhe shkurton distancën na ndihmon në një moment si ky, ndaj duhet bërë sa më parë. Jo thjesht të mbetet një projekt.”- argumenton Kryetari i Shoqatës së Turizmit.

Projekti i urës mbi Bunë

“Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë, me dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës, dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.

I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj, ndërkohë që ende nuk ka një datë për nisjen e punës në terren. /Faktoje.al

Abonohu

Merr lajmet kryesore në email

Politikë, drejtësi, SPAK, investigime dhe para publike — pa zhurmë, vetëm zhvillimet që kanë rëndësi.

Të tjera

“Nuk ikim nga sheshi”, diaspora do ta gdhijë sonte para Kryeministrisë
Aktualitet

“Nuk ikim nga sheshi”, diaspora do ta gdhijë sonte para Kryeministrisë

Protesta para Kryeministrisë do të vijojë edhe gjatë natës. Shqiptarët e ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan tubimit të...

23:53 20/06/2026
Internet celular më i shtrenjtë se në rajon, shqiptarët paguajnë faturën e duopolit
Aktualitet

Internet celular më i shtrenjtë se në rajon, shqiptarët paguajnë faturën e duopolit

Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për paketën bazë të internetit celular, në raport me të ardhurat...

20:35 19/06/2026
Para
Horoskopi sot, 4 mars 2023

Horoskopi sot, 4 mars 2023

Lajmet e fundit

“Nuk ikim nga sheshi”, diaspora do ta gdhijë sonte para Kryeministrisë

“Nuk ikim nga sheshi”, diaspora do ta gdhijë sonte para Kryeministrisë

23:53 20/06/2026
Internet celular më i shtrenjtë se në rajon, shqiptarët paguajnë faturën e duopolit

Internet celular më i shtrenjtë se në rajon, shqiptarët paguajnë faturën e duopolit

20:35 19/06/2026
I dashur ministër “të fala topave”!

I dashur ministër “të fala topave”!

20:28 19/06/2026
Ata pak personazhe publikë që folën në fillim për protestën, pse papritur po heshtin tani?

Ata pak personazhe publikë që folën në fillim për protestën, pse papritur po heshtin tani?

20:04 19/06/2026
Facebook Twitter Youtube Instagram Telegram

Rreth Nesh

Gazeta Reforma është pjesë e rrjetit mediatik të Electral.

Lajme, investigime dhe analiza për çështjet publike në Shqipëri e rajon.

Kontakt: [email protected]

Policies

Help Center
Privacy Policy

© 2026 GazetaReforma

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Kryesore
  • Politikë
  • Drejtësi & SPAK
  • Investigime
  • Ekonomi
  • Rajoni & Bota
  • Opinion / Analizë
  • Video
  • Denonco
  • Abonohu

© 2026 GazetaReforma

Na Kontaktoni

Të dhënat tuaja do të mbahen konfidenciale dhe të sigurta.

Madhësia maksimale: 10MB. Lloje të lejuara: JPEG, JPG, PNG, GIF, PDF, TXT, DOC, DOCX

Faleminderit! Mesazhi juaj u dërgua me sukses.
  • English