Skip to content
Kryesore

I dënuar për tri vrasje në Shkodër, Valentin Ftoni arrestohet në New York, pas 25 vitesh në kërkim

· 2 min lexim

Valentin Ftoni, 52 vjeç, i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për vrasjen e tre personave në Shkodër, është arrestuar në Nju-Jork pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe agjencive federale amerikane. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2001.

Ftoni rezulton i dënuar për dy ngjarje të rënda kriminale. Më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, ai vrau Gjelosh dhe Ardiana Markajn për motive gjakmarrjeje. Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkodrës e dënoi më 28 shtator 2001 me 25 vite burg për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim, dhe armëmbajtje pa leje.

Një vit më vonë, më 12 gusht 2001, Ftoni vrau Gac Tomën. Për këtë krim, Gjykata e Shkodrës dha një tjetër dënim me 25 vite burg, më 18 nëntor 2008.

Sipas Policisë së Shtetit, pas largimit nga Shqipëria, 52-vjeçari dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Hetimet kanë ngritur dyshime se ai përdori edhe një identitet tjetër të rremë, të siguruar nga një vend i Amerikës Qendrore.

Lokalizimi dhe arrestimi i tij u realizuan përmes bashkëpunimit të Departamentit të Policisë Kriminale me agjencinë amerikane DSS/OCIU, Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Autoritetet shqiptare dhe amerikane po vijojnë procedurat për ekstradimin e Valentin Ftonit drejt Shqipërisë, ku ai duhet të vuajë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare për tri vrasjet e kryera në qarkun e Shkodrës.