I dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës, Laert Haxhiu kërkon rigjykim në Kushtetuese: Më janë shkelur të drejtat

Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa ngjarje të rënda kriminale, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar rigjykimin e çështjes së tij. Haxhia pretendon se gjatë procesit gjyqësor i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi atë me burgim të përjetshëm, vendim që më pas u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Më 19 maj 2026, edhe Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur prej tij.
Haxhiu është shpallur fajtor për të ashtuquajturën “masakra e Lushnjës” të vitit 2017 dhe njihet gjithashtu si “rivali” i Aldo Bares. Ai është dënuar për disa ngjarje kriminale, mes tyre vrasjet e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për akuza të tjera të rënda penale.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 shtator 2017, në një lokal në Lushnjë. Sipas dosjes, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili hynë të armatosur në ambientin ku ndodheshin Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Xhulio Shkurti, me synim ekzekutimin e këtij të fundit, pas dështimit të një atentati në vitin 2015.
Shkurti, nipi i Aldo Bares, ishte objektivi i sulmit, por arriti të shpëtonte pasi në momentin e të shtënave nuk ndodhej aty. Nga breshëria e armëve mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu, pronari i lokalit, dhe një kalimtar.
Tashmë, pas rrëzimit të rekursit edhe nga Gjykata e Lartë, Haxhiu kërkon që çështja e tij të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij themelore dhe duke kërkuar rigjykim.