Hyseni u pyet nga SPAK për lidhjen me Agasin, mohoi takimet fizike: Prokuroria ka foto e video të takimeve

Detaje të reja janë zbardhur mbi kontaktet mes drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit. Sipas Shqiptarja.com, Hyseni është marrë në pyetje më herët nga SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni, ku ka pranuar komunikimet me Agasin, por ka deklaruar se ato kanë qenë në kuadër të rolit të tij si bashkëpunëtor i shërbimit.
Sipas raportimit, komunikimet mes tyre kanë vijuar edhe gjatë kohës kur Agasi ishte person në kërkim. Hyseni ka pretenduar se SHISH punon me bashkëpunëtorë dhe se kontaktet e saj me Agasin kanë qenë vetëm përmes telefonit, duke mohuar takimet fizike.
Por të dhënat që disponon Prokuroria dyshohet se bien ndesh me këtë version. Në telefonin e sekuestruar të Ergys Agasit janë gjetur qindra thirrje mes tij dhe drejtueses së SHISH, ndërsa SPAK disponon edhe foto dhe video të takimeve mes tyre. Materialet kanë ngritur dyshime se raporti mes tyre nuk kufizohej vetëm te komunikimet telefonike dhe cilësia e bashkëpunëtorit të shërbimit.
Një tjetër detaj lidhet me masën e sigurisë ndaj Hysenit. Sipas të njëjtit raportim, SPAK e kishte depozituar rreth 10 ditë më parë në Gjykatën e Posaçme kërkesën për caktimin e masës së sigurisë. Kërkesa është mbajtur për shqyrtim nga gjyqtarja, e cila ka verifikuar faktet dhe materialet e paraqitura përpara se të merrte vendimin.