GJKKO lë në burg shefin e Policisë Shkencore dhe biznesmenin Embro Sulejmani/ Njëri i çoi Agasit ekspertizën e makinës, tjetri ushqime gjatë arratisë; sot Vlora Hyseni del para gjykatës

GJKKO ka lënë në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në lokalin e vilave qeveritare në Durrës, të cilët akuzohen nga SPAK se kanë ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë. Ndërkohë, sot në orën 12:00 para Gjykatës së Posaçme del edhe ish-kreu i SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në “arrest shtëpie”.
Ndaj Kalluçit rëndon akuza për zbulim të të dhënave sekrete te grupet kriminale. Ai dyshohet se në muajin gusht, përpara se të arrestohej, i ka dërguar Ergys Agasit tri fotografi të ekspertizës së automjetit “Land Rover Defender” në pronësi të tij, i cili ishte sekuestruar gjatë kontrolleve në “Equos Resort”.
Ndërsa Embro Sulejmani, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, dyshohet se i dërgonte ushqime Ergys Agasit në banesën ku ky i fundit qëndronte i fshehur. Të dhënat për të dy rastet janë zbuluar në telefonin e sekuestruar të biznesmenit.
Mbrojtja e Kalluçit dhe Sulejmanit do t’i kërkojë Gjykatës shpalljen e moskompetencës ose, në të kundërt, kohë për t’u njohur me aktet.
Ndërkohë, sot në orën 12:00 GJKKO do të vendosë edhe për masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit. Ish-kreu i SHISH-it ndodhet në “arrest shtëpie” me kërkesë të SPAK, ndërsa më pas është liruar nga detyra.
Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit nëntë faqe dokumente sekrete të SHISH-it, të cilat dyshohet se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni. Agasi është arrestuar në kuadër të aferës së AKSHI-t.
Hyseni ishte marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, jo për herë të parë, si person që kishte dijeni për lidhjet me biznesmenin. Ajo ka pretenduar se komunikimet mes tyre zhvilloheshin në kuadër të bashkëpunimit të Agasit si informator i SHISH-it.
Në komunikimet e zbuluara nga SPAK rezultojnë mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit. Sipas Prokurorisë, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionin që i nevojitej, informohej për takime sensitive, ndërsa mes tyre shkëmbeheshin edhe fotografi dhe video.