Skip to content
Të Gjitha

E vrau policia greke, gjykata i jep familjes së shqiptarit 410 mijë euro dëmshpërblim

· 1 min lexim

Policia greke e vra gabimisht para 10 vjetëve dhe më në fund drejtësia i ka dhënë dëmshpërblimin familjes. Gjykata greke ka vendosur në favor të të afërmve të 25 vjeçarit shqiptar Nikolla Todi, i cili para 10 vitesh u vra nga policia greke.

Familja e Nikolla Todit me vendim të gjykatës do të dëmshpërblehet me 410 mijë euro, të cilat do i kalojnë bashkëshortes, djalit të mitur të viktimës dhe prindërve të tij.

Historia

Më 16 shkurt të vitit 2010 policia greke gjatë një operacioni për arrestimin e një të arratisuri shqiptar nga burgu i Larisës dhe bashkëpunëtorit të tij shkëmbeu zjarr me këta të fundit.

Nikolla Todi u gjend rastësisht në atë zonë, si bashkëudhëtar në një makinë që ishte parkuar jashtë një magazine.

Në momentin që filluan të shtënat, ai u fsheh pas kamionit dhe më pas tentoi të futej në një banesë, por mori 9 plumba, nga të cilët 4 i përkisnin pistoletave të policisë.

/GazetaReforma.com/