Skip to content
Kryesore

Dosja Agasi/ Ish-drejtuesi i Policisë së Durrësit merret në pyetje në SPAK: “Kisha një parandjenjë që do isha këtu”

· 2 min lexim

Ish-drejtuesi i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, është marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen që lidhet me Ergys Agasin. Bala qëndroi rreth 40 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pas daljes dha një prononcim të shkurtër për mediat.

“Nuk e di pse kisha një parandjenjë që do isha këtu”, tha ai, duke iu referuar thirrjes në SPAK për çështjen “Agasi”.

Bala ka dhënë shpjegime përpara prokurorëve lidhur me rrethanat që po verifikohen në këtë dosje. Ai ka mbajtur më herët postin e drejtorit të Policisë së Durrësit dhe detyrën e shefit të Forcës së Posaçme Operacionale, ndërsa aktualisht drejton Policinë e Korçës.

Ergys Agasi, i kërkuar nga SPAK për çështjen e tenderëve të AKSHI-t, u arrestua nga policia në zonën e Plepave në Durrës, pasi fillimisht ishte lokalizuar në Elbasan. Bashkë me të u arrestua edhe ish-efektivi i policisë Uljan Shpataraku.

Agasi akuzohet se, në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar disa javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.

Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitje”.

Pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut në Plepa të Durrësit, policia kreu me urdhër të SPAK-ut një kontroll blic në banesën e Shpatarakut te “Liqeni i Thatë”, me qëllim sekuestrimin e provave elektronike dhe dokumenteve që lidhen me dosjen e AKSHI-t.