Dhoma Amerikane e Tregtisë jep alarmin: Korrupsioni, monopolet dhe pasiguria po godasin investimet në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur alarmin për përkeqësimin e klimës së biznesit, duke paralajmëruar se korrupsioni, monopolet, konkurrenca e pandershme dhe pasiguria e krijuar nga zhvillimet e fundit po dëmtojnë ekonominë dhe besimin e investitorëve.
Në një deklaratë publike këtë të enjte, AmCham shpreh shqetësimin për situatën në vend, duke theksuar se shumë kompani kanë raportuar dëme, ndërprerje të aktivitetit dhe mungesë të mbrojtjes nga institucionet përgjegjëse.
“Sipas raportimeve që kemi marrë, shumë biznese kanë pësuar dëme dhe ndërprerje të aktivitetit të tyre, ndërsa kanë shprehur shqetësimin se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në deklaratë.
Dhoma Amerikane rikujton se problemet e klimës së biznesit nuk janë të reja. Indeksi i saj më i fundit, AmCham Business Index (ABI) 2025–2026, ka evidentuar korrupsionin, monopolet, konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe ekonominë informale si ndër pengesat kryesore për bizneset në Shqipëri.
“Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë nga shqetësimet dhe rekomandimet e anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur”, thekson AmCham, duke iu referuar komunikimeve të mëparshme me institucionet.
Sipas organizatës, indeksi ka regjistruar edhe një “përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit mbi klimën e biznesit”, ndërsa pasiguria e fundit rrezikon të përkeqësojë më tej situatën.
“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe vetë ekzistencën e bizneseve, duke sjellë pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi”, paralajmëron Dhoma Amerikane.
AmCham thekson se mungesa e sigurisë për njerëzit dhe pronën mund të ndikojë negativisht në vendimet e investitorëve vendas dhe të huaj për të investuar në Shqipëri, me pasoja edhe për punonjësit dhe familjet e tyre.
Në përfundim, organizata u kërkon qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse veprim të menjëhershëm për garantimin e sigurisë, respektimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e aktivitetit ekonomik, ndërsa u bën thirrje të gjithë aktorëve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.