Deklarata tronditëse për spastrimin etnik, Kosova kallëzon penalisht ministren serbe, 53 deputetë në Beograd kërkojnë shkarkimin e saj

Presioni ndaj ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, po shtohet si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, pas deklaratës së saj të 12 korrikut, ku tha:
“Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”
Ndërsa në Kosovë është depozituar kallëzim penal ndaj saj, në Serbi 53 deputetë opozitarë kanë kërkuar shkarkimin e saj.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka depozituar kallëzim penal ndaj Paunoviç, duke theksuar se Republika e Kosovës nuk do të heshtë përballë gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes.
“Sot kam deponuar Kallëzimin Penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, shkroi Gërvalla.
Ajo theksoi se deklaratat që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të konsiderohen retorikë e zakonshme politike, pasi mbartin pasoja të rënda historike, juridike dhe njerëzore.
Ndërkohë, edhe në Serbi po shtohet presioni politik ndaj Paunoviç. Plot 53 deputetë opozitarë kanë mbledhur nënshkrime për t’i kërkuar kryeministrit Gjuro Macut shkarkimin e saj, pasi nuk arritën të sigurojnë 60 firmat e nevojshme për nisjen e procedurës parlamentare.
Nisma është ndërmarrë nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe është mbështetur nga disa grupe opozitare, si edhe nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë. Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë”, deklaroi Kamberi.