Skip to content
Politikë

DASH nxorri raportin, Meta dekreton ligjin për parandalimin e pastrimit të parave

· 2 min lexim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 120/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”.

Ndryshimet në këtë ligj synojnë të mbrojnë sistemin financiar dhe të ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke forcuar njëkohësisht integritetin e sistemit parandalues në vend dhe rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.

Ligji synon që të rrisë garancitë dhe mekanizmat që agjencitë ligjzbatuese të ushtrojnë efektivisht funksionin për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e kërcënimeve për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.

Akoma më e rëndësishme, është përpjekja për reflektimin e rekomandimeve të FATF (Financial Action Task Force – FATF) dhe Monyeval.

Kujtojmë se një muaj më parë Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, diskutoi  projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin  “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.

Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektligjit ishin Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Elvis Koçi, drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe përfaqësues të tjerë, të të dy dikastereve.

Vjero tha se, “projektligji që diskutojmë sot, synon përafrimin e legjislacionit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me direktivën e BE-së”. “Gjithashtu, theksoi ajo, ky projektligj vjen edhe si një detyrim që rrjedh nga MSA dhe njëherazi shpreh angazhimin që Shqipëria ka marrë në forumin e Ballkanit Perëndimor, ku është theksuar se këto përmirësime ligjore do të realizohen brenda këtij viti”.