Skip to content
Kryesore

BE kërkon hetim urgjent për dhunën policore ndaj protestuesve dhe gazetarëve

· 2 min lexim

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me përshkallëzim të dhunshëm dhe pretendime për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për situatën e krijuar dhe thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes përbëjnë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Përfaqësia diplomatike evropiane bën të ditur se është në dijeni të pretendimeve për dhunë të tepruar nga efektivët e policisë, duke kërkuar që veprimet e forcave të rendit të jenë proporcionale dhe rastet e denoncuara të hetohen me përparësi.

“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, si dhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në reagimin zyrtar.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën gjithashtu thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në uljen e tensioneve, duke nënvizuar se dialogu konstruktiv mes aktorëve të përfshirë mbetet e vetmja rrugë përpara.

Reagimi i BE-së vjen në një kohë kur përdorimi i forcës gjatë protestës në kryeqytet është vënë në qendër të vëmendjes, ndërsa përfaqësia evropiane kërkon respektimin e të drejtave themelore dhe hetimin me përparësi të pretendimeve për dhunë policore.