Skip to content
Kryesore

Apeli lehtëson masën për Jozefin Markun, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje pas dhunës ndaj Eduart Kuçit

· 2 min lexim

Gjykata e Apelit ka lehtësuar masën e sigurisë ndaj Jozefin Markut, personazh i njohur nga reality show, i përfshirë në episodin e dhunshëm ndaj Eduart Kuçit. Nga masa “arrest në shtëpi”, e caktuar më 9 shtator nga Gjykata e Tiranës, Marku do të kalojë në masën “detyrim paraqitjeje”.

Marku kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë, ndërsa Apeli vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij.

Në “arrest shtëpie” ishte lënë edhe Kristjan Nikolli, shoku i Markut, i cili drejtonte automjetin tip “Land Rover” me të cilin, sipas hetimeve, grupi i kishte zënë pritë Eduart Kuçit pranë mbikalimit të Rinasit.

Sipas dosjes, personat që shoqëronin Jozefin Markun ndaluan makinën “McLaren” të Kuçit duke u kamufluar si efektivë policie, me fenelina dhe duke i nxjerrë tabelën për ta detyruar të ndalonte.

Pas ndalimit të automjetit, Kuçi u godit, ndërsa Marku i kërkoi të ulej në gjunjë dhe t’i kërkonte falje.

Konflikti mes tyre kishte nisur pas ofendimeve që Eduart Kuçi kishte bërë ndaj Markut në rrjetet sociale. Të dy janë bërë të njohur nga pjesëmarrja në reality show, ndërsa përplasja e tyre kaloi më pas nga rrjetet sociale në një episod dhune fizike.

Ngjarja mori përmasa të mëdha në rrjet pas publikimit të videos së episodit, e cila ishte filmuar nga personat që shoqëronin Jozefin Markun dhe u shpërnda gjerësisht online.

Jozefin Marku u arrestua më 5 shtator në banesën e një shoku të tij në Lezhë. Ai dyshohet për pesë vepra penale, mes tyre pengmarrje, plagosje e lehtë, kanosje, mbajtje pa të drejtë e uniformës dhe ndërhyrje e padrejtë në jetën private.

Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa pjesëtarë të tjerë të përfshirë në ngjarje ende nuk janë identifikuar.