Skip to content
Kryesore

Alarm te Raiffeisen Bank/ Klientët denoncojnë zhdukjen e 500-1,000 eurove nga llogaritë, çfarë po ndodh?

· 3 min lexim

Një situatë shqetësuese është raportuar këtë të diel nga klientë të Raiffeisen Bank Albania, të cilët denoncojnë se nga llogaritë e tyre bankare po mungojnë shuma të konsiderueshme parash, pa kryer vetë transaksione në këto vlera. Denoncimet janë shtuar gjatë orëve të fundit në rrjetet sociale, ndërsa shumat e raportuara variojnë nga 500 deri në 1 mijë euro.

Rasti është raportuar fillimisht nga “Kapitali”, që shkruan se ka verifikuar llogaritë e disa prej klientëve të prekur. Një prej rasteve të dokumentuara lidhet me një qytetar që kishte rreth 100 mijë lekë në llogarinë e tij. Gjatë ditës së sotme, ai ka kryer një blerje prej vetëm rreth 1,100 lekësh, afërsisht 10 euro.

Por pas kryerjes së pagesës, klientit i ka mbërritur një SMS nga Raiffeisen Bank, ku gjendja e llogarisë rezultonte më pak se 50 mijë lekë. Pra, megjithëse transaksioni i kryer prej tij ishte vetëm rreth 1,100 lekë, në llogari rezultonte një diferencë prej afro 50 mijë lekësh, ose mbi 500 euro.

Denoncime të ngjashme janë bërë edhe nga dhjetëra klientë të tjerë. Sipas raportimeve, qytetarët pretendojnë se kanë konstatuar mungesa që shkojnë nga 500 deri në 1 mijë euro në llogaritë e tyre, ndërsa disa raste të tjera të publikuara këtë të diel pretendojnë se lëvizjet shfaqen në aplikacion si “Tërheqje në ATM”.

Përveç parave të munguara, klientët ngrenë edhe një tjetër shqetësim: pamundësinë për të komunikuar me bankën. Qytetarët pretendojnë se kanë tentuar në mënyrë të përsëritur të kontaktojnë Raiffeisen Bank për të marrë shpjegime, por nuk kanë arritur të marrin përgjigje përmes linjave të kontaktit.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të një paralajmërimi që vetë banka u kishte dërguar klientëve vetëm dy ditë më parë. Sipas raportimit të “Kapitali”, Raiffeisen kishte njoftuar për tentativa mashtrimi kibernetik të tipit “smishing”, ku përmes SMS-ve mashtruese synohet marrja e të dhënave bankare të klientëve.

“Kapitali” raporton gjithashtu se Raiffeisen po përballet me një sulm kibernetik dhe e lidh situatën me marrjen e parave nga klientët. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar që provon se rastet e denoncuara sot janë pasojë e të njëjtit sulm apo e mesazheve “smishing”.

Për momentin mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë me transaksione të paautorizuara, mashtrim ndaj klientëve, një problem teknik në pasqyrimin e gjendjes së llogarive apo një incident tjetër sigurie.

Ajo që dihet deri tani është se disa klientë kanë dalë publikisht me pretendimin se u mungojnë qindra euro nga llogaritë, ndërsa të paktën një prej rasteve është verifikuar nga media që publikoi denoncimin. Tashmë pritet një sqarim nga Raiffeisen Bank Albania për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, sa klientë janë prekur dhe çfarë do të ndodhë me shumat që qytetarët pretendojnë se u janë zhdukur nga llogaritë.